Shënohet Dita Botërore e Efiçiencës së Energjisë
Prishtinë, 5 mars - Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Agjensionin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, projektin e UNDP-së Përkrahje për Zhvillim me Emetim të Ulët dhe GIZ, organizuan aktivitetin me qëllim të shënimit të 5 marsit, Ditës Botërore për Efiçiencë të Energjisë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti tha se porosia kryesore që duan të përçojnë tek popullata është rëndësia e masave që duhet të ndërmerren për efiçiencë të energjisë.
Ne, si Kosovë, çdo ditë përballemi me reduktime të ashpra të energjisë elektrike dhe po ashtu i kemi edhe debatet dhe diskutimet mbi nevojat që Kosova do ti ketë në aspektin e burimeve energjetike jo vetëm sot por edhe në të ardhmen. Megjithatë, çështja që duam ta adresojmë sot pa marrë parasysh se cili do të jetë vendimi, ajo është se Kosova shpenzon artificialisht më shumë energji për shkak të masave të cilat nuk i ka ndërmarrë."
"Kemi të bëjmë me masa aq të thjeshta, siç është ndërrimi i një poçi elektrik në shtëpi, i cili do ta reduktonte jo vetëm faturën e energjisë, por do ta reduktonte kërkesën që e kemi në termocentrale, e deri tek masat që kanë të bëjnë me izolimet nëpër ndërtesa të ndryshme, të cilat po ashtu e kanë shpenzimin e energjisë elektrike deri në 30 % 40 % më shumë se sa që do të shpenzohej nëse izolimi do të ishte më i mirë, tha z. Ahmeti, i cili shtoi se një poç elektrik efiçient ndonëse kushton më shtrenjtë se sa një poç i zakonshëm, megjithatë, me faturën e rrymës të cilën e paguajnë qytetarët, një investim i tillë kthehet brenda një periudhe të shkurtër.
I pari i Komunës së Prishtinës, po ashtu i njoftoi të pranishmit se me projektin e koogjenerimit në Termokos është reduktuar për 20% furnizimi me energji elektrike në qytetin e Prishtinës.
Ne tani jemi duke punuar në politikat e dhënies së lejeve dhe insentivat për një ndërtues të ri, nëse shkon me masa sa më të larta të efiçiencës së energjisë, atëherë do të shohim mundësinë edhe të lirimit nga një pjesë e taksave, e pse jo edhe me motivime të tjera për ndërtuesit, në mënyrë që edhe Prishtina, si pjesë e Kosovës, por edhe Kosova në përgjithësi, ti ndërmerr këto reforma jashtëzakonisht të nevojshme, tha z. Ahmeti.
Përfaqësuesi i Agjencionit për Efiçiencë të Energjisë, z. Bedri Dragusha, tha se si agjenci do të vazhdojnë me përkrahjen e komunave në hartimin e planeve për efiçiencë të energjisë elektrike, ndërsa, z. Arsim Aziri, udhëheqës i Agjencionit Austriak për Zhvillim tha se është kënaqësi të përkrahen iniciativa të tilla ngaqë për këtë agjencion, çështjet që ndërlidhjen me ambientin janë shumë të rëndësishme dhe se edhe në të ardhmen do të përkrahin projekte të tilla.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Andrew Russel, përfaqësues i përhershëm i UNDP së, i cili tha se nga efiçenca e energjisë elektrike përfitojnë të gjithë.
Të gjithë në Kosovë fitojnë sepse kursejnë të hollat. Çdo euro që e shpenzoni në energji elektrike, janë të holla të cilat nuk mund ti shpenzoni në diçka tjetër. Çdo ditë në botë ka lirim të gazrave në atmosferë që po e shkatërrojnë botën, jo vetëm për në sot por edhe për gjeneratat që vijnë. Si pasojë nga kjo do të kemi më shumë lagështira më shumë vërshime, kushtet jetësore do të vështirësohen apo do të përkeqësohen. Përfundimisht të gjithë do të jemi fitimtarë nëse i përmbahemi efiçiencës energjetike sepse kjo në të ardhmen do të krijoj edhe vendet e punës dhe vendi ynë ka nevojë për vende pune, tha z. Russell.
Ndërsa, znj. Jehona Serhati nga GIZ tha se me shënimin e Ditës Botërore për Efiçiencë të Energjisë synohet të ngritet vetëdijesimi i qytetarëve inkurajimi i tyre në aplikimin e masave për efiçiencën e energjisë (EE). Me këtë rast qytetarët do të mund të njoftohen për efiçencën e energjisë, përmes Eco-Trailer, financuar nga GIZ GmbH .
Gjatë këtij aktiviteti u shpërndanë edhe broshura informative për qytetarët me informata për EE, poçave efiçient / ekonomik.
Ndihmesë të vecantë në realizimin e këtij projekti dhëne në këtë proces do të jenë Klubi i Gjelbër nga Shkolla e Gjelbër, në Prishtinë