SHBA rikthehet zyrtarisht në Marrëveshjen e Parisit për Klimën
Washington, 20 shkurt - Shtetet e Bashkuara janë rikthyer zyrtarisht në Marrëveshjen e Parisit pasi administrata e Presidentit Trump braktisi paktin global për klimën nën pretendimet se ishte shumë e kushtueshme për biznesin.
Shtëpia e Bardhë thotë se stuhia e ashpër dimërore që ka shkaktuar disa dhjetëra viktima në Teksas dhe disa shtete të tjera amerikane këtë javë është një lloj i motit ekstrem që po shkakton ndryshimi i klimës. Disa familje pa energji elektrike dhe ujë u strehuan nëpër dyqane dhe vende të tjera. Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vonohen më gjatë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
“Kjo është një krizë globale, ekzistenciale dhe nëse dështojmë, të gjithë do të vuajmë pasojat. Duhet të përshpejtojmë zotimet tona për të frenuar në mënyrë agresive ndotjen nga njeriu dhe të mbajmë përgjegjës njëri-tjetrin për përmbushjen e objektivave dhe shtimin e ambicieve tona.”
Në një ceremoni me rastin e rikthimit të Amerikës në paktin për klimën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se kjo forcon përpjekjen globale për të ngadalësuar ngrohjen.
“Gjatë katër viteve të fundit, mungesa e një lojtari kryesor krijoi një hendek tek Marrëveshja e Parisit, një hallkë e munguar që dobësoi gjithçka. Ndërsa përgëzojmë rikthimin e Amerikës në këtë traktat, po ashtu ripohojmë objektivat e marrëveshjes në tërësi, ashtu siç synonin krijuesit e tij. Mirë se erdhët përsësi!”
Ekspertët thonë se emërimi i ish Sekretarit të Shtetit John Kerry për të qënë i dërguari i parë presidencial për klimën, është një sinjal i fuqishëm. Zoti Kerry u zotua se Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet.
“Kthehemi tek përpjekjet ndërkombëtare për klimën me përulësi dhe ambicie. Përulësi, se kemi humbur katër vite gjatë të cilave Amerika mungonte në tryezë. Por gjithashtu me ambicie, sepse Parisi i vetëm nuk mund të bëjë atë që shkenca na thotë se duhet ta bëjmë sëbashku.”
Zoti Kerry kujtoi gëzimin dhe shpresën e vitit 2015 kur u nënshkrua marrëveshja e Parisit nga pothuajse çdo vend i botës. Pakti synon të zvogëlojë emetimet globale të gazeve që shkaktojnë efektin serë dhe të kufizojnë ngrohjen globale me 2 gradë celsius, krahasuar me nivelet e periudhës para-industriale.