SHBA, nis punën termocentrali diellor më i madh në botë
Kaliforni, 16 dhjetor - Termocentrali diellor më i madh në botë do të fillojë punën nga fundi i vitit në Kaliforni.
Energjia e fituar nga dielli dhe era konsiderohet përgjithësisht energji e pastër, ndryshe me atë nga qymyri. Por ambjentalistët tani shqetësohen se zhvillimi në shkallë të gjerë i energjisë diellore mund të dëmtojë ekosistemet e brishta të shkretëtirës.
Ivanpah është një fushë pasqyrash që shkëlqen si imazh në shkretëtirën Mohave të Kalifornisë, rreth 60 kilometra në jugperëndim të Las Vegasit. Joe Desmond është zyrtar i lartë i kompanisë BrightSource Energy, e cila po ndërton termocentralin.
Këtu gjendet një nga përqëndrimet më të larta të rrezeve diellore, në Ivanpah.
Në termocentral do të vendosen 170.000 pasqyra për të përqëndruar energjinë diellore në kaldaja të vendosura në majë të tri kullave të energjisë. Avulli i gjeneruar në këto kaldaja do të lëvizë turbinat për të prodhuar energji. Zoti Desmond thotë se avulli mund të arrijë temperatura mbi 260 gradë celsius.
Ne mund ta ruajmë energjinë termike të diellit në formën e kripës së shkrirë. Pra, mund të prodhojmë energji elektrike edhe kur dielli perëndon. Ka shumë interes për të përdorur energjinë diellore kudo në botë, në vende ku ka shumë diell, si Kina, Afrika e Jugut, Lindja e Mesme, dhe Afrika e Veriut....
Ambjentalistët në përgjithësi e mbështesin idenë e termocentralëve diellorë, por shumica e tyre dëshirojnë që ekosisteme si ky këtu të vazhdojnë të qëndrojnë të paprekur.
Edhe pse shkretëtira duket e madhe, kur fillon të përdorësh pjesë të saj, kjo mund të ndikojë te mbijetesa afatgjatë e specieve të ndryshme.
Lisa Belenky është avokate në Qendrën për Diversitetin Biologjik, një grup privat për mbrojtjen e mjedisit. Ajo thotë se ambjentalistët janë të shqetësuar rreth efekteve të Projektit Ivanpah të përkrahur nga Google, mbi ndikimin e jetës së bimëve dhe kafshëve në këtë pjesë të shkretëtirës Mohave.
Kompania BrightSource Energy ka shpenzuar më shumë se 50 milion dollarë deri tani për të rivendosur në mjedisin e saj breshkën e shkretëtirës që ishte në rrezik.
Ne duhet të ripërdorim zona që janë përdorur më parë, si vendet ku dikur ndodheshin miniera për shembull... thotë zonja Belenky.
Kompania Brightsource Energy i ka shitur paraprakisht energji disa pjesëve të Kalifornisë jugore dhe planifikon të fillojë punën në fund të këtij viti.