SHBA, industria e qymyrgurit në rënie
Washington, 2 shtator - Shumë termocetrale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorin gazin natyror në vend të qymyrgurit për të prodhuar elektricitet, duke ulur kështu çlirimin e dioksidit të karbonit, për të cilin shkencëtarët thonë se shkakton ndryshime klimatike.
Ndërsa një gjë e tillë mund të jetë positive për mjedisin, për popullatën që varet nga industria e qymyrgurit në malet Apalashe, në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, rënia e prodhimit të qymyrgurit rrezikon ekzistencën e tyre.
Miniera e qymyrgurit Prichard në distriktin Logan në shtetin e Virxhinias Perëndimore ende funksionon.
Ajo ka 55 punonjës me të ardhura vjetore mbi 60 mijë dollarë në vit dhe prodhon më shumë se 500 mijë ton qymyrguri në vit, por e ardhmja e saj nuk është e sigurtë.
Konkurenca nga gazi natyror me kosto më të ulët po ul kërkesën për qymyrgur, por Rocky Hackworth, menaxher i përgjithshëm për operacionet e minierës, thotë se kërcënimi real vjen shtimi i rregullave si dhe kostot e kërkuara për miratimin e punës së minierave nga Agjencia federale për Mbrojtjen e Mjedisit.
Na u deshën 3 vjet që të mernim lejen e fundit për të operuar dhe na kushtoi 1.2 milion dollarë para se të fillonim nga puna. Me pasigurinë e krijuar në 2-3 vitet e fundit, si rezultat i lejeve të anuluara nga autoritetet, pasi i kishin lëshuar dhe puna kishte filluar, nuk mendoj se ia vlen të rrezikosh.
Pjesa më e madhe e fondeve që paguhen për lejet, thotë ai, përdoret për mirëmbajtjen e zonës së gërmimeve për operacionet e shpimit për qymyrgur dhe për të siguruar që këto operacione nuk ndotin ujin e zonës përreth.
Një numer minierash në zonë janë mbyllur, ndërkohë që bizneset përballen me vështirësi. Jim Winkler është pronar i kompanisë American Hydraulic and Rebuild, e cila prodhon pajisje për minierat. Ajo kishte dyfishin e punonjësve të tanishëm, të cilët punonin 10 orë në ditë.
Vetëm gjatë vitit të fundit, biznesi ynë ka rënë me 40 për qind. Punonjësit e mi punojnë 8 orë në ditë, 4 ditë në javë. Kam plane për të pushuar nga puna 4 veta, dy prej të cilëve kanë punuar me mua për 20 vjet. Kjo është gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë. Nuk kam pushuar kurrë njeri nga puna.
Ashley Justice, bashkë-pronare e autofiçinës Busted Knuckle, thotë se pasiguria ekonomike po shoqërohet me emocione të shumta.
Është e trishtueshme të shikosh njerëzit që ne i kemi njohur gjatë gjithë jetës të largohen për në zona të tjera për të gjetur punë ose për të dalë në pension.
Senatori i Virxhinias Perëndimore, Art Kirkendoll thotë se qeveria federale po angazhohet në një luftë kundër minierave të qymyrgurit për të inkurajuar përdorimin e karbureve më të pastra dhe për të ulur ngrohjen globale.
Ne mendojmë se ndaj minierave të qymyrgurit është hapur një farë lufte. Disa rregullore e kanë bërë shumë të vështirë nxjerrjen e qymyrgurit dhe nëse këtë produkt nuk mund ta prodhosh e ta shesësh, atëhere operacionet e minierave të qymyrgurit do të falimentojnë.
Senatori Kirkendoll thotë se banorët që jetojnë në zonat rurale të maleve Apalashe janë viktima të luftës kundër qymyrgurit.