Serbia kontrollon tregun e energjisë për shkak të mungesës së linjave
Tiranë, 20 prill - Kompanitë serbe, ose ato serbe të regjistruara në Zvicër, kanë qenë në gjendje ti zhvasin vendeve të Ballkanit Perëndimor qindra milionë euro në vit përmes çmimeve shumë të larta të energjisë elektrike, duke përfituar nga mungesa e linjave të interkonjeksionit të drejtpërdrejta si dhe përmes mbështetjes politike të heshtur në vendet deficitare.
Ballkani Perëndimor, ku përfshihet Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Kroacia dhe në vitet me thatësirë, Bosnja e Mali i Zi, që të gjitha importojnë një pjesë të konsiderueshme të energjisë elektrike që konsumojnë.
Kjo energji prodhohet kryesisht në Bullgari, Rumani apo në Europën Qendrore, nga ku për të mbërritur në Ballkanin Perëndimor, duhet të kalojë nëpër linjat serbe të transmetimit.
Linjat serbe janë trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë. Në atë kohë, rrjetet energjetike të vendeve ndërtoheshin në formë ylli, me një qendër nga ku kalonte energjia që shpërndahej në drejtime të ndryshme. Për Shqipërinë, kjo qendër është Elbasani. Për ish-Jugosllavinë, qendra ishte në Beograd.
Serbia trashëgoi de facto qendrën e shpërndarjes së energjisë në ish-Jugosllavi dhe e ka përdorur këtë trashëgimi në formë dogane për të dyfishuar çmimin e energjisë që konsumohet në vendet e ish-Jugosllavisë, por edhe në Shqipëri.
Ekspertët e energjisë në shumë vende kanë këmbëngulur gjatë dekadës së fundit për ndërtimin e linjave të reja të interkonjeksionit, të cilat mund të shmangin monopolin e Serbisë në këtë treg, por ndërtimi i këtyre linjave shumë shpesh has pengesa të panumërta. Linja e interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë p.sh., u vonua për më shumë se dhjetë vjet.
Tregu
Nuk është sekret që energjia elektrike në Rumani është e lirë. Ajo shitet zakonisht me 50 për qind të çmimit me të cilin blihet në vendet e Ballkanit Perëndimor. opcom.ro është faqja zyrtare e bursës rumune të energjisë elektrike.
Për Shqipërinë, kjo tregti ka kushtuar me dhjetëra milionë euro çdo vit kosto shtesë. Kosova, e cila ka edhe më pak mundësi se sa Shqipëria për të importuar, pasi linjat e saj të vetme ndërkombëtare lidhen me Serbinë, detyrohet të paguajë çmimin stratosferik prej 110 euro për MWh.
Në shumë raste dhe në shumë vende të Ballkanit Perëndimor kanë shpërthyer skandale të këtij lloji, si ky që po shohim ditët e fundit me vonesat e qëllimshme të planeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit.
Në Bosnjë, në vitin 2004, ish-guvernatori Paddy Ashdown zbuloi se si tepricat e energjisë në këtë vend i shiteshin një kompanie serbe me një cent për kWh dhe kjo e fundit ia shiste Malit të Zi me 2 cent. Do të kishte qenë e arsyeshme që Bosnja ta shiste drejtpërsëdrejti energjinë në Malin e Zi, por ky arsyetim nuk përfshin paratë që qarkullojnë nën dorë.
Në vitin 2009, Kroacia pushoi nga puna drejtorin e korporatës vendëse të energjisë, pasi u pa se ai në fund të vitit 2008 pati nënshkruar kontrata importi me vlerë 80 euro për MWh, në një kohë që edhe një buf mund ta parashikonte që kriza botërore do ta përgjysmonte çmimin e energjisë elektrike në rajon.
Ndërsa për Ballkanin Perëndimor është fare e logjikshme të shtojnë bashkëpunimin me njëri-tjetrin, gjë që do të lehtësonte konsumatorët dhe qeveritë e këtyre vendeve nga dhjetëra milionë euro humbje çdo vit, në fakt bashkëpunimi është inekzistent.
Nuk dihet se për çfarë arsyeje, dhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës, u desh këmbëngulja e Bankës Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim KfW që Shqipëria dhe Kosova të nisnin procedurat për një linjë interkonjeksioni.
Shqipëria dhe Kosova
Që prej një dekade, ekspertët e energjisë kanë folur shpesh për përfitimet e jashtëzakonshme ekonomike, teknike dhe strategjike që krijohen nga afrimi i tregut të energjisë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë.
Në çdo raport të Entit Rregullator të Energjisë, bashkëpunimi me Kosovën jepet si rekomandim i rëndësishëm, megjithatë, për arsye të pashpjegueshme, shumë shpesh ky bashkëpunim mungon.
Përfitimet nga bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë
Shqipëria mund të importojë nga Kosova energji gjatë natës dhe në muajt e verës dhe ta eksportojë gjatë ditës dhe në muajt e pranverës e vjeshtës.
Vlerësohet se vetëm nga optimizmi i shfrytëzimit të kaskadës së Drinit, prodhimi energjetik në Shqipëri mund të rritet me 30-40 për qind në vit, e barasvlefshme kjo me 50-150 milionë euro kursime.
Hidrocentralet mbi Drin do të prodhojnë më shumë gjatë orëve të ditës dhe energjia e tepërt mund të eksportohet me çmime shumë të larta në Greqi.
Kosova shpëton nga varësia energjetike e Serbisë, gjë që është një hap themelor në arritjen e pavarësisë së plotë dhe vendosjes së kushteve të barabarta në tryezat e bisedimeve.
Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit i hap rrugën ndërtimit të termocentraleve të reja me qymyr apo modernizimit të atyre ekzistues në Kosovë.
Vetëm nga zëvendësimi i termocentraleve të vjetra me termocentrale të reja, Kosova do të ketë përfitime të mëdha. TEC-et e vjetra të qymyrit kanë rendiment të ulët prej 20-25 përqindësh, ndërsa ato të rejat e kanë rendimentin deri në 45 për qind. Sasia e ndotjes do të përgjysmohet pa e rritur prodhimin e energjisë elektrike.
/gazeta shqip/