Së shpejti fillon faturimi i rrymës në katër komunat veriore
Prishtinë, 25 nëntor - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shumë shpejt do të vije dita që qytetarët e katër komunave veriore do ta paguajnë energjinë elektrike.
Kryeministri Kurti duke iu përgjigjur deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj se edhe për sa kohë do t’u paguhet energjia elektrike qytetarëve në veriun e Kosovës, tha se në bashkëpunim me ZRRE-në, Bashkimin Evropian dhe me partner të tjerë, të gjithë edhe ata në pjesën veriore do ta paguajnë energjinë që shpenzojnë, e siç tha ai do të ndodhë për herë të parë pas 22 vjetësh.
Deputetja Kadrijaj tha se sa ishte Lëvizja Vetëvendosje në opozitë e kanë akuzuar çdo qeveri për këtë temë.
“Sa ishit në opozitë keni akuzuar çdo qeveri për të njëjtën temë. Nuk keni lënë qeveri e zyrtarë qeveritarë e pa e akuzuar e denigruar, deri në pikën më të ulët të mundshme. Sa ishit në opozitë keni thënë se fajet I ka qeveria, tash kur jeni në qeveri po thoni se fajin e kanë strukturat ilegale të Serbisë.“
“Tregoni, a jeni kryeministër I gjithë Republikës, dhe pse po e gjuani fajin tani te dikush tjetër, e sa ishit në opozitë thoni tjera fjalë. A do të thotë kjo që do të jeni dorëlirë me parat e shtetit, kryeministër. Dhe meqenëse po thoni se keni me bërë sistemin e faturimit, kur do të filloj sistemi I faturimit në pjesën veriore të Mitrovicës?”, tha Kadriaj.
Kurti tha se kritikat e tij kanë qenë të arsyeshme, dhe beson se këtë çështje siç tha ai të trashëguar, do ta zgjidhë shpejt.
“Është e vërtet që ne kemi qenë kritik kur kemi qenë në opozitë, andaj sot e kemi trashëguar këtë gjendje e cila na ka vërtetuar dhe dëshmuar se kemi pasur të drejt në kritikën tonë. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel, dhe ne po i vuajmë pasojat tani.“
“Në raportet tona që i kemi atje edhe me partnerët ndërkombëtar, por edhe në bisedimet me Serbinë, argumentet kryesore kundër nesh janë dakordimet e pajtueshmëritë e qeverive paraprake. Pra, unë duhet të operoj me trashëgiminë e lënë më herët. Po bëj më të mirën e mundshme në funksion të kushtetutshmërisë, në funksion të sovranitetit të Kosovës dhe pa dyshim që nuk do të dëshiroja që të jem në këtë gjendje.“
“Me krejt çfarë dimë e mundemi, sa më shpejt do të vij dita që të filloj faturimi edhe atje në veri, sepse është një padrejtësi e madhe ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës, e në veçanti dëmtuesit më të mëdhenj janë pikërisht ata të cilët me qëndrimet tyre kundër Kosovës edhe nuk e paguajnë energjinë elektrike. Dhe ata që janë konsumatorë të mëdhenj, për interesa të tyre biznesore që shkaktojnë dëm të energjisë e cila konsumohet e nuk paguhet”, theksoi Kurti.