Riinvest mban debat për të ardhmen e thëngjillit në Kosovë
Prishtinë, 30 mars - Instituti Riinvest organizon debatin me temë “E ardhmja e thëngjillit në Kosovë”.
Ky debat do të organizohet në kuadër të serisë së diskutimeve lidhur me çështjet vitale që ndërlidhen me Agjendën e Gjelbër, si një prioritet në rrugën e integrimit në BE.
Kjo seri e debateve “Green Talks” është një nga komponentët e platformës Green Action Space, një projekt që përmban aktivitete kërkimore, edukative dhe arsimore dhe avokuese për të kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve tek akterët e ndryshëm si dhe për avancimin e politikave që ndërlidhen me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Debati i parë i kushtohet trajtimit të temës “E Ardhmja e Thëngjillit në Kosovë”, një çështje vitale që ndërlidhet me problemet aktuale dhe perspektivat e efektuimit të burimit natyror më të madh të Kosovës - lignitin, duke marrë parasysh efektet në mjedis, aspektet sociale- ekonomike dhe zhvillimet potenciale teknologjike lidhur me përdorimin e tij në ndërlidhje me zotimet që dalin nga Agjenda e Gjelbër e Ballkanit Perëndimor.
Ky debat ka për qëllim që të iniciojë aktivitete në rrafshin profesional dhe akademik por edhe institucional për të iniciuar politika adekuate zhvillimore në interesin më të mirë publik.
Në këtë debat do të marrin pjesë ekspertë të fushës nga sektori i energjisë, institucioneve dhe qarqeve akademike, aktivistë të shoqërisëÌ civile dhe përfaqësues të mediave.