Rasti i ish-punonjësve të KEDS ende në proces të shqyrtimit nga gjykata
Prishtinë, 28 shkurt - KEDS dëshiron të sqarojë opinionin publik se ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e Inspektoriatit të Punës, që ka vendosur në favor të ankesës së Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar për këtë çështje. Ne e konsiderojmë vendimin e Inspektoriatit të Punës, kapërcim të kompetencave që i njeh Ligji.
Federata e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova po kërkon nëpërmjet përmbaruesit dhe gjykatës (Aktvendimi C. P. nr. 3086/16 të datës 16 shkurt 2017, publikuar në media) që të ekzekutojë vendimin e Inspektoratit të Punës.
KEDS po e kundërshton në gjykatë edhe kërkesën për ekzekutim. Ne jemi të gatshëm që ta ndjekim procesin deri në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat tona të ligjshme.
Ne besojmë se KEDS ka vepruar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës kur ka mbyllur departamentin dhe pozicionet e tepërta të punës, që sollën ndërprerjen dhe mos-ripërtëritjen e kontratave të një numri punonjësish.
Ky nuk ishte aspak vendim i lehtë për KEDS-in, por kjo ishte e domosdoshme dhe ne bëmë sa ishte e mundur për të zbutur pasojat, dhe në të njëjtën kohë jemi të bindur se nuk shkelëm asnjë nga të drejtat e punonjësve.
E ritheksojmë edhe një herë, se rasti i ankesës së punëtorëve është duke u shqyrtuar nga gjykata kompetente, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që mos të bëjnë deklarata të pabazuara që mund ta lajthisin opinionin.
KEDS beson në sistemin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të mos komentojë rreth këtij rasti, duke respektuar dhe mos-interferuar në sistemin e drejtësisë.