Qytetarët e Obiliqit të rrezikuar nga projektet energjetike
Prishtinë, 8 maj - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mbajti të mërkurën një debat publik në Obiliq ku u diskutuan problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Obiliqit.
Debati kishte për qëllim shtjellimin e shqetësimeve të banorëve të Obiliqit në lidhje me gjendjen aktuale mjedisore, krijimin e vendeve të punës në sektorin energjetik si dhe problemin e zhvendosjes.
Qytetarët e Obiliqit janë më të rrezikuarit nga zhvillimet e projekteve energjetike. Pasojat shëndetësore të djegies së qymyrit nuk janë të trajtuara në mënyrë të duhur nga organet shtetërore, potencoi Sejdi Halimi nga organizata lokale Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit.
Ndërsa Burim Gërguri, Këshilltar Komunal në Obiliq propozoi që të krijohet një fond për trajtimin e rasteve me sëmundje kancerogjene dhe respiratore nga ndikimi direkt i thëngjillit.
Gjatë këtij debati çështja e zhvendosjes ishte problemi më i zëshëm, për të cilin qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre.
Që procesi i zhvendosjes të jetë i suksesshëm nuk nevojitet vetëm kompensimi me para por duhet bërë identifikimi i të gjitha rreziqeve të varfërisë, restaurimi i të ardhurave të humbura dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, ka thënë Rinora Gojani nga INDEP.
Qytetarët kanë shprehur shqetësime serioze rreth procesit të deritanishëm të zhvendosjes në fshatin Hade, proces i cili është tej zgjatur dhe është bërë jashtë çdo norme të pranueshme.
Një problem tjetër i identifikuar nga të pranishmit ishte edhe numri i të punësuarve në Komunën e Obiliqit. Me këtë trend dhe me projektet e deritashme energjetike, me privatizimin e distribucionit dhe minierave, deri në dy të tretat e punonjësve të tanishëm do të mund të largohen nga puna.
Të pranishmit u pajtuan që shqetësimet e qytetarëve dhe komunës së Obiliqit për sa i përket ndikimit të projekteve të energjisë në jetët e tyre nuk janë marrë mjaftueshëm në konsiderim.
Ata gjithashtu u pajtuan që këta qytetarë duhet të jenë të përfshirë në planifikimet rreth projekteve energjetike në komunën e tyre, pasi këto të fundit ndikojnë netët e tyre në mënyrë drastike.
Diskutimi është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe është mbështetur nga Ambasada Holandeze në Kosovë.