Qeveria të investoi në tregun e energjisë elektrike
Prishtinë, 3 prill - Sot, Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (Wiener Institut für Internationale Wirtschaftsvergleiche - wiiw) prezantuan raportin “Ndikimi i ndihmës shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Ballkan”. Raporti trajton problematikën e ndihmës shtetërore në sektorin e energjisë elektrike, duke marr si shembull konkret rastet në Kosovë, Bosnje, Serbi dhe disa nga vendet e Bashkimit Evropian.
Në hapje të diskutimit, Nora Latifi-Jashari, drejtoreshë ekzekutive e Institutit GAP, tregoi për bashkëpunimin në mes të dy organizatave që nga korriku i vitit 2018 dhe përpjekjet e përbashkëta për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të organizatave jo qeveritare në Kosovë dhe organizatave në vendet e Evropës.
Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, prezantoi raportin e GAP dhe wiiw, në të cilin trajtohet problemi i ndihmës shtetërore në projektet e reja energjetike me bazë linjitin në vendet si Kosova, Bosnja dhe Serbia; projekte të cilat bien ndesh me direktivat e BE-së për liberalizimin e tregut energjetik. Ndër të tjera, z.Hasaj theksoi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka fuqi ligjore të kufizuar për ndalimin e projekteve që përbëjnë ndihmë shtetërore, kurse departamentet për ndihmë shtetërore brenda vendeve kontraktuese nuk kanë pavarësi të plotë.
Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), foli për rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve të reja për arritjen e sigurimit të energjisë elektrike në vend. Për këtë siguri po ndërtohen edhe kapacitete të reja të burimeve të ripërtritshme. ZRrE-ja ka mbështetur ndërtimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) përmes tarifave nxitëse. Ndërsa sa i përket ndihmës shtetërore, ngjashëm me vendet e rajonit, Kosova nuk po arrin të thith investime në sektorin e energjisë pa garancione të blerjes.
Sala Berisha – Shala, kryesuese e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, nuk e mohoi prezencën e ndihmës shtetërore në kontratë por tha se vlerësimi final duhet të vijë nga komisioni për ndihmë shtetërore, i cili do te funksionalizohet së shpejti.
Ndërsa, Mimoza Kusari – Lila, deputete e Kuvendit të Kosovës, shtoi se duhet të kemi parasysh se sektori i amvisërisë prin në konsum ndaj atij të industrisë. Prandaj duhet të analizohen metoda të sigurimit të energjisë duke filluar nga amvisëria. Për më tepër duhet të analizohet kostoja financare e kontratës për ndërtimin e “Kosova e Re”. Në qoftë së kostoja e shkeljeve ligjore e tejkalon ate të tërheqjes nga kontrata, atëherë duhet të shikohet mundësia e daljes nga ky projekt.
Në debat kontribuuan edhe te ftuarit tjerë nga fusha e energjisë, mediat dhe shoqëria civile.