Qeveria synon të sigurojë më shumë energji nga BRE
Prishtinë, 15 janar- Paralel projekteve energjetike që kanë efekt direkt dhe të menjëhershëm në kualitetin e ajrit, Qeveria e Kosovës është zotuar që në vitet në vijim të sigurojë më shumë energji nga Burimet e Ripërterishme dhe të kursej energjinë përmes projekteve të ndryshme të Efiçiencës së Energjisë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Këto komente Ministri Ismajli i bëri sot gjatë vizitës në Stacionin e Monitorimit të Ajrit në Dardhishtë të Obiliqit, në kuadër të fushatës Ti japim energji së ardhmes, që këtë javë ka në fokus mjedisin, ku morën pjesë edhe drejtues të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (MMPH) dhe Institutit INKOS.
Kreu i MZHE-së, tha me këtë rast se ndër projektet më të rëndësishme për mbrojtjen e ambientit janë; ndërtimi i sistemit hidraulik i bartjes së hirit nga Termocentrali Kosova A që është realizuar me ndihmën e Bankës Botërore, me çka zvogëlohet emisioni i grimcave të pluhurit deri në 80%. Pastaj, vendosja e filtrave elektrostatike që janë vendosur në TC Kosova A që ka ulur emetimin e gazrave deri 40%.
Ministri Ismajli potencoi se edhe projekti Kosova e Re është një projekt që do të çojë drejt zhvillimit ekonomik të vendit, drejt një sigurie të furnizimit me energji, dhe është planifikuar që të jetë me standarde Evropiane sa i përket ambientit.
Sa i përket Burimeve të Ripërtërishme, Ministri Ismajli tha se deri në vitin 2020 Kosova ka për obligim që 25% e konsumit të energjisë të prodhohet nga këto burime që janë shumë më të pastra.
Ministri vuri në dukje se Qeveria ka aprovuar Planin Kombëtar të Veprimit të BRE-ve (2011-2020) i cili parasheh kuotën prej 29.47% dhe Planin Kombëtar të Veprimit për EE (2010-2018) sipas të cilit Kosova ka për obligim te mbërrijë cakun e 9% të EE, ndërsa shtoi se vendi ka tejkaluar cakun tre vjeçar të 3%-shit.
Nga ana tjetër, Ilir Morina kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (MMPH) ka bërë me dije se sa i përket gazrave që janë edhe helme për shëndetin e popullatës të gjitha janë nën nivelin e lejuar, janë në kondita normale, nuk janë të rrezikshme dhe janë në suaza të limiteve të lejuara edhe me direktivat e BE-së dhe me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.