Qeveria krijon Task Forcën për pastrimin e Kosovës
Prishtinë, 24 korrik - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në hapje të saj, kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllimin për Qeverinë e Greqisë dhe për familjet e atyre që kanë pësuar nga fatkeqësia që ka goditur një pjesë të qytetit të Athinës.
Në këtë rast kryeministri ka shprehur gatishmërinë e Kosovës që të ndihmojë Greqinë në tejkalimin e situatës së krijuar.
Kabineti qeveritar është informuar për masat parandaluese për aksidentet e komunikacionit me pasoja fatale dhe për lehtësimin e procedurave dhe eliminimin e pritjeve të paarsyeshme të qytetarëve në pikat kufitare.
Kryeministri Haradinaj ka shprehur shqetësimin për rritjen e numrit të aksidenteve fatale në Republikën e Kosovës dhe ka kërkuar mobilizim të përgjithshëm që të parandalohen këto aksidente tragjike.
Ministria e Punëve të Brendshme është duke përgatitur një analizë të hollësishme dhe komplekse për shkaqet e aksidenteve. Më pas do të aprovohen edhe masat parandaluese.
Për situatën në pikat kufitare të hyrjes në Kosovë nga Republika e Serbisë, është thënë se institucionet tona kanë ndërmarr masat në thjeshtëzimin dhe shpejtimin e procedurave dhe pritjet nga ana kosovare janë mesatarisht në mes të 3 dhe 5 minutave. Por pritjet e gjata po shkaktohen nga masat e rrepta dhe kontrollimi nga ana e palës serbe.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga breshëri nëpër komunat e Kosovës.
Vendimi gjithashtu ka autorizuar Ministrin e Financave që të fillojë procedurat për krijimin e fondit të veçantë për kompensimin e dëmeve eventuale në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019. Qeveria nuk ka përcaktuar shumën e kompensimit sepse kjo do të jetë subjekt i analizës dhe mundësive buxhetore.
Në kuadër të përgatitjeve për themelimin e Fondit për kompensimet eventuale në sektorin e bujqësisë për vitin 2019, Qeveria ka vendosur që të krijoj një grup punues për themelimin sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore.
Në përputhje me angazhimet e marrura për zgjidhjen e statusit të zjarrfikësve në Republikën e Kosovës, sot ka miratuar vendimin për themelimin e komisionit që do të merret me përgatitjen e propozimit.
Komisioni do të udhëhiqet nga një përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit dhe në përbërje me përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Administratës Publike, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Policia e Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Komisioni do të shfrytëzoj mbështetjen profesionale të institucioneve dhe organizatave përkatëse vendore dhe ndërkombëtare.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për krijimin e Task Forcës për pastrimin e ambientit. Kjo Task Forcë do të merret me organizimin e fushatës dhe aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, nga 15 shtatori 2018 deri më 15 dhjetor 2018. Me 15 shtator do të organizohet aksioni masovik për pastrimin e mbeturinave në Kosovë dhe ku planifikohet të mobilizohen mbi 50 mijë vullnetarë.
aksion ka marr mbështetjen e pa rezervë të kryeministrit Ramush Haradinaj. Task Forca do të ketë një plan operativ që do t’i përfshijë gjithë akterët institucional dhe përfaqësuesit nga organizatat jo-qeveritare për pastrimin gjeneral të Kosovës. Koordinatore e projektit të fushatës do të jetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila do të raportojë çdo muaj në Qeveri për zbatimin e tij.
Qeveria i ka vazhduar mandatin për tre vjet, kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për aderimin e Kosovës në marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA). Me këtë marrëveshje Republika e Kosovës e avancon statusin ndërkombëtarë dhe rajonal.
Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme e ka marr edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin e Autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq. Marrëveshja e nënshkruar i siguron Republikës së Kosovës një hua në shumën prej 80 milionë eurove e cila do të shfrytëzohet për realizimin e Projektit të autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq.
Është miratuar nga kabineti qeveritar edhe Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Projektligji i ri që do të rregullojë këtë fushë është në harmoni me legjislacionin evropian dhe ka për qëllim të rregullojë dhe sigurojë të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër, mbrojtje të shëndetit, florës dhe faunës si dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit në vendin tonë.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është aprovuar edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me ndryshimet e bërë në këtë Rregullore do të mundësohet krijimi i Divizionit për Parandalimin dhe Ri integrimin e Personave të Radikalizuar në kuadër të Departamentit për Siguri Publike.
Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe ndryshimi i vendimit të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore për përkufizimin e konceptit të “Produkteve të origjinës”. Vendimi është përshtatur me Konventën Rajonale mbi Rregullat Preferenciale Pan Euro Mesdhetare.
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, janë propozuar kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Në listën e të propozuarve janë:
1. Fadil Ismaili
2. Petrit Pepaj
3. Përparim Kabashi, dhe
4. Bekim Jakupi
Lista e kandidatëve do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, i cili do të bëjë përzgjedhjen e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Strategjia për zhvillim ekonomik lokal 2019-2023 është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Strategjia mbështet ngritjen e kapaciteteve qeverisëse në zbatimin e ligjeve, krijimin e klimës së partneritetit me biznesin, krijimin e mundësive për aktivitete dhe hapësira për shoqërinë civile dhe qytetarët që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e qeverisjes lokale.
Dy nisma të Ministrisë së Punëve të brendshme për nënshkrimin e marrëveshjeve me Republikën e Panamasë, kanë marr miratimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës: Marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e luftës kundër krimit të organizuar”, dhe Marrëveshjen për “Zbatimin e një mekanizmi të këmbimit të paralajmërimeve migratore dhe të informacioneve të sigurisë”.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Raportin gjashtëmujor të Buxhetit për vitin 2018, i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Raporti për këtë periudhë evidenton të hyrat e përgjithshme në shumën 870 milionë euro, që shënon rritje prej 6% krahasuar me gjashtëmujorin e vitit paraprak, që ka ardhur si rezultat kryesisht nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore.
Shpenzimet gjatë kësaj periudhe arrijnë shumën 855 milionë eurove, që shënojnë rritje për 10% më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak. Rritja është e shkaktuar nga ekzekutimi i lartë i investimeve kapitale. Bilanci i pagesave në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti është pozitiv.
Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar që të përcaktojnë buxhetet e tyre operuese që kanë të bëjnë me Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka propozuar dhe kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimeve të përkohshme për masat mbrojtëse në importimin e pemëve dhe perimeve dhe prodhimin e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina.