22 Dhjetor 2024

Qeveria i propozon ZRrE-së që bllok-tarifa të jetë 1 000 kWh

Prishtinë, 1 shkurt - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar në emër të Qeverisë së Kosovës komentet që kanë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me tarifat e energjisë elektrike.

Ministri i Murati, ka thënë në një konferencë për media se kanë dhënë një propozim lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila në tetor të vitit të kaluar, ka vendosur ta anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për t’ua paguar rrymën katër komunave në veri të Kosovës gjatë viteve 2012-2017.

Po ashtu, gjykata përmes këtij vendimi, i ka kërkuar ZRrE-së që ta obligojë KEDS-in që shumën prej rreth 41 milionë euro konsumatorëve të pjesës tjetër të Kosovës, përmes tarifave.

Murati ka thënë, se qeveria i ka propozuar tash ZRrE-së që këto mjete të përfshihen si kontigjencë në të hyrat maksimale të lejuara dhe kësisoj, të rezultohet me të hyra maksimale të lejuara më të ulëta.

“Ne kemi dhënë një propozim tjetër. Gjykata ka marrë një aktgjykim sipas të cilit kërkohet nga ZRrE-ja që ta obligojë KEDS-in që shumën prej 40,855,480 euro t’ua kthejë konsumatorëve përmes tarifave. Kjo ka të bëjë me shumën që është faturuar deri në vitin 2017, pjesë e konsumuar në pjesën veriore. Janë rreth 41 milionë euro për të cilat ka një aktgjykim nga Gjykata Themelore mirëpo ky aktgjykim është apeluar nga ZRrE-ja."

"Kërkesa jonë ka qenë që kjo pjesë ky 41 milionë të përfshihet si kontigjencë në të hyrat maksimale të lejuara, dhe kësisoj të rezultojmë me të hyra maksimale të lejuara më të ulëta, dhe në momentin që merret vendimi përfundimtar i Gjykatës pastaj të vendoset nëse vendimi konfirmohet i Gjykatës, llogaritet se obligimi prej 41 milionë u është kthyet konsumatorëve, ndërkaq nëse vlerësohet se ka qenë gabim kjo pjesë mund të bartet në tarifat e vitit vijues."

"Kështu do të kishim të hyrat maksimale të lejuara prej rreth 380 milionë euro, nga 446 do të binte në 380 dhe hendeku do të zvogëlohej në afërisht 70 milionë euro”, ka thënë Murati.

Ai po ashtu ka thënë se qeveria i ka propozuar ZRrE-së që për amvisëritë blloku i parë tarifor të jetë 1000 kWh, dhe i ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës, dhe po ashtu që për ata që e tejkalojnë këtë prag, tarifa e lartë të ulet nga 14 cent në 11,5 cent.

“Pjesa e dytë e skenarit, është propozimi për strukturat tarifore. Ne kemi propozuar që për amvisëritë, blloku i parë tarifor të jetë 1000 KWh dhe i ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës. Konsiderojmë që për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë."

"Për ato familje që nuk e tejkalojnë këtë prag, nuk do të ketë fare ekspozim ndaj lëvizjeve dhe rritjeve në çmim. Ndërkaq për ata që e tejkalojnë këtë prag, propozimi ynë ka qenë që edhe tarifa e lartë, mbi 500 ditore, të ulet nga 14 cent në 11,5 cent. Edhe këtu të ketë një zbritje dhe me këtë propozim, kemi vlerësuar që gjenerohen 22,5 milionë euro për ta zvogëluar këtë hendekun që e thashë prej 110 dhe 70 milionë euro”, është shprehur Murati.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)