Qeveria i kërkon bordit të KEK-ut shkarkimin e Arben Gjukajt
Prishtinë, 15 mars - Komisioni i Ministrave për Ndërmarrje Publike, në emër të aksionarit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kërkon nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut, që konform përgjegjësive të përcaktuara sipas akteve ligjore në fuqi të shkarkojë Drejtorin Menaxhues të KEK, Sh.a.
KMNP në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot me datë 15 mars 2013, ka shqyrtuar gjendja aktuale mbi ankesat e konsumatorëve për faturat e muajit Janar 2013 dhe duke u bazuar në Raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pakënaqësitë e konsumatorëve me faturat e janarit, në të cilin janë konstatuar gabime, ka kërkuar nga Bordi i Drejtorëve ndërmarrjen e masave ndaj drejtorit menaxhues tw KEK-ut.
Bordi i ZRRE është i mendimit se KEK-u do të duhej të menaxhonte më mirë situatën e krijuar nga leximi jo i saktë i njehsorëve elektrik, siç është evidentuar nga ankesa e konsumatorëve dhe e cila është reflektuar në ngritjen e pakënaqësive të konsumatorëve, thuhet në Raportin e ZRRE-së.
KEK ka bërë gabime gjatë leximit tek konsumatorët sepse në disa raste të analizuara të ankesave që lidhen me procedurën e leximit dhe faturimit të konsumatorëve tarifor, duke mos lexuar (faturuar) konsumatorët në ditët e njëjta të muajit, si muajt paraprak."
"Tek ata konsumatorë të cilët i kemi analizuar, kjo ka pas efekt negativ në faturën e tyre përmes zhvendosjes së energjisë së faturuar nga muaji Dhjetor në Janar që rezulton me: zvogëlimin e faturave të muajit Dhjetor 2012; rritjen e faturave të muajit Janar 2013 dhe zhvendosjen e humbjeve nga muaji Janar 2013 në Dhjetor 2012, thuhet gjithashtu në raport.
ZRRE gjithashtu ka kërkuar që KEK u në të ardhmen të veprojë në përputhje me rregullat dhe procedurat në fuqi dhe të mos lejojë paraqitjen e lëshimeve.
Në Komisionin është vlerësuar se aksionari konform kompetencave ligjore dhe institucionale ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të evitimit të thellimit të pakënaqësive të qytetarëve, përkatësisht konsumatorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, por në bazë të elementeve faktike dhe juridike, Bordi i Drejtorëve nuk ka përmbushur kërkesat e aksionarit.
Në këtë kontekst është vlerësuar se veprimet e papërgjegjshme nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë ndikuar në mënyrë të paarsyeshme në krijimin e mosbesimit të thellë të qytetarëve ndaj ofrimit të shërbimeve të ndërmarrjes publike në fjalë.