Qeveria falënderuese për mbështetjen e SHBA-ve në të gjitha periudhat
Prishtinë, 19 tetor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, priti në takim delegacionin nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kryesohej nga z. Matthew Zais, Zëvendës Ndihmës Sekretar Kryesor, ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësues të USAID-it, me të cilët diskutoi për implementimin e projekteve të dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri Hoti me këtë rast, ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës, në të gjitha periudhat e shtetndërtimit.
Në këtë takim është diskutuar për nevojat ekonomike dhe energjetike të Kosovës, të cilat burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe implementimin e projekteve të dakorduara në këtë marrëveshje.