Qeveria e ka futë Kosovën thellë në varfëri, korrupsion e hajni
Deputetja e AAK-së Donika Kadaj - Bujupi ka thënë së çmimet e papërballueshme të energjisë elektrike për qytetarët në këtë kohë krize, në varfëri dhe papunësi të mbi gjysmës së popullsisë, janë tejmase shqetësuese.
"Brenda pak muajve rryma u rrit, fillimisht 4.57% dhe më pas 5.18%, ndërsa furnizimi u keqësua. Kur kësaj i shtohen edhe gabimet e mëdha në fatura, fryerja e tyre dhe dyfishimi i kostos reale të shpenzuar, gjendja bëhet e papërballueshme."
"Kinse arsyeshmëria e privatizimit të KEDS-it, ka qenë menaxhimi më efikas, furnizimi i rregullt me energji elektrike, me çmime me të ulëta dhe më më të arsyeshme", ka theksuar Kadaj - Bujupi.
Të paktën sipas saj kështu është provuar të arsyetohet Qeveria Thaçi kundruall argumentit për falje apo shitjen me çmim tepër të ulët të këtij aseti të çmueshëm të vendit.
Sot kësaj sipas saj i shtohet edhe dilema se kush është tani pronari i vërtetë.
Kadaj - Bujupi ka shtuar se sot, rreth 3 vite më pas, furnizimi me rrymë nuk është përmirësuar, investimet për përmirsimin e rrjetit, ndërrimin e orëve dhe zvogëlimin e humbjeve nuk janë në nivelin e kontraktuar dhe aspak transparente, ndërsa çmimi i energjisë po vazhdon të rritet nga muaji në muaj.
Që po i bie se përfitimet individuale të atij privatizimi po i paguan shtrenjtë xhepi i qytetarëve, nëpërmjet faturave që herë janë të shtrenjta e herë janë të fryra, tash e tri vite në mënyrë të vazhdueshme.
Ajo ka theksuar se kjo kosto dhe pasiguri energjetike po e rëndon standardin e jetës së familjeve, amvisëritë, po e vështirëson të bërit biznes dhe, në menyrë zingjirore, po shkakton largimin e investitorëve potencialë, për të cilët kushti kryesor për të investuar në Kosovë, është furnizimi i rregullt me energji elektrike.
"Të jetosh në një vend ku resurset natyrore energjetike janë potencial i fuqishëm për zhvillim, ndërsa të vuash nga mungesa e rrymës dhe të paguash çmimin më të shtrenjtë në Evropë, është paradoks."
"Kjo gjendje vjen nga politikat dhe vendimet e dëmshme të Qeverisë, korrupsionit dhe veprimit për interesa të individëve dhe klaneve qe po e shkaterrojnë vendin."
:Nuk guxojmë të lejojmë që për shkak të qeverisjes së keqe, Kosova tu bashkohet shteteve të cilat cilësohen si të mallkuara nga pasuritë e tyre natyrore, ku dominon varfëria, korrupsioni dhe qytetarët ndahen në klasa, ka thënë znj. Donika Kadaj-Bujupi, në konferencën e sotme për shtyp në Grupin Parlamentar të AAK-së.