Punëtorët e KEDS-it paralajmërojnë grevë
Prishtinë, 29 prill - Kryesia e Federatës së Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës në një konferencë për media ka bërë të ditur se i ka dhënë afat menaxhmentit të korporatës deri më 5 maj, për të reflektuar ndaj kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së Elektrokosovës, Fehmi Pajaziti ka thënë së në rast se nuk marrin përgjigje pozitive, ata do të veprojnë në përputhje me Ligjin mbi grevat.
Le ta ketë të qartë ky menaxhment i KEDS-it, që kërkesat e punëtorëve janë imediate dhe ata nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre, prandaj i bëjmë thirrje menaxhmentit që të dialogojë dhe të mos na imponohet ta përdorim ligjin mbi grevat, thotë ai.
Punëtorët e KEDS-it gjatë këtij muaji kanë mbajtur edhe protesta për rritje të pagave, ndërkohë Pajaziti thotë se kanë mbajtur edhe takime me drejtues të korporatës, por fatkeqësisht nuk kanë arritur asnjë rezultat.
Por, ai shfaq bindjen se deri në afatin e paralajmëruar do të arrihet një zgjidhje e pranueshme.
Pajaziti ka theksuar se në KEDS janë mbi 2 mijë e 600 të punësuar, kurse paga mesatare e tyre është rreth 300 euro, e jo 580 siç kanë thënë zyrtarët e korporatës.