Punëtorët e KEDS-it, kanë kryer detyrën e vet zyrtare
Prishtinë, 3 shkurt - KEDS ka sqaruar se punëtoret e vet të apostrofuar në media si të akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit kanë kryer detyrën e vet zyrtare në përputhje të plotë me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
Këtë e dëshmon edhe procesverbali i nënshkruar edhe nga konsumatori në fjalë, i cili nuk ka dëshmuar ta ketë asnjë vërejtje të vetme. Të gjitha mediat që dëshirojnë ta shohin mund të vijnë në zyret e KEDS-it pasi për shkak të ruajtjes së privatësisë nuk mund tjua dërgojmë). KEDS nuk ka pranuar nga Prokuroria në fjale asnjë shkresë për aktakuzën e përmendur nga mediat dhe asnjë inicim tjetër që ka të bëjë me këtë rast, është thënë në komunikatën e KEDS-it.
Punëtorët e apostrofuar sipas KEDS-it, nuk e kanë shkelur asnjë ligj, përkundrazi I kanë respektuar ata. Neni 28 i Ligjit për Energjinë I miratuar nga Kuvendi I Kosovës e specifikon qartë se: Personat fizikë dhe juridikë do të lejojnë zyrtarët që ushtrojnë inspektime në përputhshmëri me këtë ligj, mund të hyjnë dhe të kalojnë në pronën e çfarëdo individi për ushtrimin e aktiviteteve të tyre në lidhje me inspektimin dhe mirëmbajtjen e stabilimenteve të tyre, instalimeve apo sistemeve. Personat fizikë dhe jurdikë duhet tu lejojnë qasje përfaqësuesve të autorizuar të ndërmarrjeve për energji qasje në pronën e tyre në të cilën gjenden stabilimentet, aparaturat, rrjetat ose sistemet energjetike në të cilat qasja e tillë është e nevojshme, me qëllim të mirëmbajtjes apo kontrollimit të tyre, prerjes se pemëve apo vegjetacionit tjetër që mund të pengojë veprimin e stabilimenteve, aparaturës, rrjetave ose sistemit. Personat fizikë dhe juridik duhet tu lejojnë qasje përfaqësuesve të autorizuar të ndërmarrjeve për energji për inspektimin e pajisjeve për matje që gjenden në pronën e tyre, në të cilën qasja e tillë është e nevojshme, dhe nuk mund të ndalojnë përfaqësuesit e ndërmarrjeve për energji të bëjnë shkyçjen e pajisjeve për matje ose aparaturave të tjera në lidhje me sistemin e energjisë, ka njoftuar KEDS.
Këtë e përforcon edhe rregullorja për Kushtet e Përgjithshme te Furnizimit me Energji e nxjerrë nga ZRRE e cila ne nenin 20 te saj parasheh: Konsumatori është i obliguar që tiu lejojë qasje në pronën e tij përfaqësuesve të Operatorit të Sistemit/Furnizuesit, për qëllim të leximit, testimit, inspektimit, instalimit, mirëmbajtjes, riparimit të matësve, kyçjeve dhe pajisjeve përkatëse ashtu si paraqitet në Nenet 27, 28 dhe 29 të Ligjit për Energji. Pra, punëtorët e KEDS-it kanë zbatuar ligjin dhe rregulloret. Ata ishin të pajisur me ID të KEDS-it me autorizim nga kompania për të bërë kontrollin, që i është bashkangjitur këtij sqarimi. KEDS nuk ka asnjë vërejte për punën e tyre, pra kanë punuar në përputhje të plotë me autorizimet. Një konstatim të tillë nuk e ka bërë as ZRRE që është gardian i zbatimit të ligjit dhe rregulloreve, është thënë në komunikatën e KEDS-it