Punëtorët e KEDS-it anulojnë grevën
Prishtinë, 31 maj - Punëtorët e Korporatës së Distribucionit dhe Furnizimit nuk do të mbajnë grevë për rritjen e pagave, siç kishin paralajmëruar. Kryetari i Federatës së Sindikatës së Pavarur të Elektrokosovës, Fehmi Pajaziti thotë se do të presin deri kah mesi i muajit qershor që të arrijnë marrëveshje me menaxhmentin e KEDS-it, ndërsa thekson se pikat tjera të kërkuara edhe përmes protestave janë përmbushur tashmë.
Nuk ka rritje të pagave për punëtorët e KEDS-it. Megjithëkëtë përfaqësuesit e punëtorëve të kësaj kompanie nuk mbajtën grevë, siç kishte paralajmëruar sindikata. Kryetari i Federatës së Sindikatës së Pavarur të Elektrokosovës, Fehmi Pajaziti thotë se gjatë diskutimeve me menaxhmentin e KEDS-it kanë arritur pajtim që të realizohen të gjitha kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të punës, me përjashtim të çështjes së pagave.
Për pikën e parë që është ngritja e pagave deri tani nuk kemi marrëveshje, por e kemi lënë të diskutohet si pikë e veçantë, sepse përgjigja e menaxhmentit të KEDS-it është që përderisa të mos e kenë të aprovuar buxhetin nga ana e ZRRE-së nuk mund të hyjë në dialog, thotë Pajaziti.
Pajaziti thotë se nuk do të heqin dorë nga rritja e pagave, dhe për këtë ai pohon se do të presin deri kah mesi i qershorit, kur edhe duhet të përfundojë afati i miratimit të tarifave për KEDS-in nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Nëse ka vullnet për rritjen e pagave, punëtorët nuk do të mbajnë grevë, shprehet Pajaziti.
Në qoftë se ndodhë e kundërta që nuk është vullneti i tyre për ngritjen e pagave të punëtorëve atëherë pa dashjen tonë do të jemi të detyruar të përdorim ligjin mbi grevat dhe jemi kategorikë që të shkohet deri në fund me realizimin e kërkesave të punëtorëve, sqaron Pajaziti.
Nga ana tjetër zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, thotë se nuk ka rritje të pagave por thekson se në bashkëpunim me sindikatën angazhohen në vazhdimësi që të përmirësojnë kushtet e përgjithshme të punës për të punësuarit në kompani.
Nuk ka marrëveshje për rritje të pagave në KEDS. Ne kemi treguar arsyet pse një rritje e pagave nuk është e mundshme për momentin dhe ende vazhdojmë të jemi në diskutime me sindikatën e pavarur, shprehet ai.
Ndryshe, punëtorët e KEDS-it gjatë muajit prill kanë mbajtur disa protesta duke kërkuar ngritjen e pagave për kategori të ndryshme të punëtorëve nga 50 deri në 130 euro. Kërkesa e tyre erdhi pas rritjes së pagave për punëtorët e KEK nga 100 euro.