23 Dhjetor 2024

Protestuesit kërkojn shkarkim të menaxhmentit të KEK-ut

Prishtinë, 10 mars - Grupi i Qytetarëve të Organizuar, të cilët po protestojnë kundër KEK-ut, për siç thonë ata fryrjen e faturave të energjisë elektrike për muajin janar, shprehen se fajtorët për këto hajni gjenden në majat e hierarkisë së KEK-ut dhe institucioneve të tjera relevante.

Ata kërkojnë shkarkimin zinxhiror të menaxhmentit qendror, hetimin nga prokuroria dhe futjen në burg të fajtorëve.

“Ditëve të fundit janë raportuar nëpër medie ankesa nga një numër i madh i qytetarëve të cilët ankohen për faturat e reja të fryra të muajit shkurt. Në anën tjetër, zyrtarë të KEK-ut po i quajnë normale vjedhjet dhe rritjen e faturave duke tentuar ta maskojnë vjedhjen me gabimin.\"

\"Ne ia bëjmë me dije KEK-ut dhe të gjitha institucioneve relevante për çështje të energjisë se vjedhja nëpër tërë territorin e Kosovës nuk mund të jetë lëshim dhe se faturat e ardhura kudo me fryrje dhe asnjëherë me zvogëlime vlerash tregon për vjedhje me paramendim dhe kurrsesi për gabime a lëshime punëtorësh”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Grupi i Qytetarëve të Organizuar.

Sipas tyre protestuesit në protestën e fundit e kanë kundërshtuar ashpër përjashtimin e punëtorëve nga puna dhe masat tjera të marra ndaj tyre, duke shprehur sigurinë e tyre që fajtorët janë në majat e hierarkisë së KEK-ut dhe institucioneve të tjera relevante.

“Ne kërkojmë shkarkimin zinxhiror të menaxhmentit qendror, hetimin nga prokuroria dhe futjen në burg të fajtorëve, me një fjalë ne kërkojmë sundim të drejtësisë dhe funksionim të institucioneve për të cilat ne qytetarët e Republikës së Kosovës paguajmë taksa. Por, para të gjithë këtyre ne kërkojmë ndalimin e shkyçjeve pa u sqaruar krejt situata e krijuar pas hajnisë së KEK-ut e cila po vazhdon sipas dijenisë sonë për dy muaj rresht, ndërkaq dyshimet për hajni të tilla gjatë muajve të tjerë do të duheshin vërtetuar pas hetimeve të thella që institucionet përgjegjëse nuk po i bëjnë”, thuhet në komunikatë.

Ata bëjnë të ditur se Grupi i Qytetarëve të Organizuar është në konsultim me të gjitha organizatat joqeveritare dhe grupe të ndryshme shoqërore për organizimin e një protesteje masive gjatë javës që po vjen, në të cilën do të protestohet kundër hajnisë dhe kundër mosfunksionimit të institucioneve.

Sipas tyre Grupi i Qytetarëve të Organizuar deri tani ka fituar përkrahjen e shumë organizatave dhe asociacioneve të tyre.

Ata ftojnë të gjitha organizatat dhe organizimet që ende s’janë bashkuar në thirrjen e përbashkët që t’iu bashkohen në thirrjen e ardhshme për një protestë masive kundër hajnisë dhe kundër mosfunksionimit të institucioneve përgjegjëse për luftimin e saj.

Grupi i Qytetarëve të Organizuar thotë se deri tash u janë bashkuar dhjetëra organizata të shoqërisë civile.

Organizatat e bashkuara deri tash në Grupin e Qytetarëve të Organizuar:

Iniciativa për Progres, Alter Habitus, Dokufest, KIPRED, EC Ma Ndryshe, Qendra për Art Bashkëkohor Stacion, Community Building Mitrovica, Instituti Demokratik i Kosovës, Syri i Vizionit, Klubi për Politikë të Jashtme, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, D4D - Demokraci për Zhvillim, Center for Research, Documentation and Publication

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)