Projekti i miratuar me MCC-në nuk ka të bëjë me gazsjellësin TAP
Prishtinë, 23 mars - Duke marrë parasysh qarkullimin e disa lajmeve në mediat vendore për mbledhjen e qeverisë ku është diskutuar projekti i ardhshëm me MCC-në, Ministria e Ekonomisë, dhe njëkohësisht bartëse e procesit të Zhvillimit të Kompaktit nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) ka njoftuar se projekti i paraparë nuk ka të bëjë me zhvillimin e gazsjellësit TAP.
Qeveria e Kosovës sot miratoi nismën për negocimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit të Programit Kompakt mes Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Zhvillimore të Qeverisë së SHBA-ve - Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit. Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte:
1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh)
2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.
Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit.
Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë.
Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.
Projekt i dytë përfshinë dy aktivitete:
1. Zhvillimi i fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, kështu duke e mbështetur edhe investimin me MCC dhe
2. Fuqia punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve siç janë; bursat për studime universitare në fushën e energjisë të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.
Investimet e Programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës dhe gjatë përfundimit të fazës zhvillimore dhe negociatat me partnerët tanë nga MCC, do të njoftojmë publikun për zhvillimet dhe detajet përfundimtarë të projektit.