Prodhimi i thëngjillit ulët për 11,6 për qind
Prishtinë, 25 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare ka publikuar Bilancin e Energjisë për TM1 2013.
Në këtë publikim janë paraqitur të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2013 Kosova ka prodhuar 1,96 milionë tonë thëngjill. Në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar (TM1 2012), ka një ulje të sasisë së prodhuar prej 11,6 për qind.
Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2013 Kosova ka konsumuar rreth 2,42 milionë tonë thëngjill, ku në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar (TM1 2012) ka një ulje të sasisë së konsumuar prej 2,1 për qind.
Prodhimi i energjisë elektrike në TM1 të vitit 2013, në termocentrale dhe në hidrocentrale është 1,730.4 GW/h, ku 99 për qind është prodhuar në termocentrale dhe rreth 1 për qind në hidrocentrale.
Në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar (TM1 2012), ka ulje të sasisë së prodhuar të energjisë elektrike për 1,1 për qind.
Në tremujorin e parë të vitit 2013 në Kosovë janë importuar 229,7 GW/h energji elektrike. Sasia e importuar e energjisë elektrike është rritur për 5,7 për qind në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2012).
Sasia e eksportuar e energjisë elektrike për TM1 të vitit 2013 është 100,4 GW/h. Në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar (TM1 2012) ka rritje të sasisë së eksportuar për 87 për qind.
Në tremujorin e parë të vitit 2013, Kosova ka konsumuar 1008,8 GW/h energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2012), sasia e konsumuar e energjisë elektrike është ulur në 2,6 për qind.