22 Dhjetor 2024

Prodhimi i energjisë nga qymyri shkatërron ekosistemin

Prishtinë, 20 tetor - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) në bashkëpunim me disa organizata tjera të shoqërisë civile, organizoi konferencë mbi ndikimin e qymyrit në shëndetin publik në Kosovë.

Qëllimi i kësaj konference është hapja e diskutimit me palët e interesuara vendore dhe ndërkombëtare të përfshira në sektorin e energjetikës në Kosovë, lidhur me perspektivën e shmangies së shfrytëzimit të linjitit për një të ardhme më të shëndetshme të vendit.

E titulluar “Linjiti i Kosovës dhe efekti i tij në shëndetin publik” konferenca filloi me prezantimin e një studimi të përgatitur nga dy studiues të shquar të dy universiteteve amerikane, Jonathan Buonocore nga Universiteti i Harvardit dhe nga Michael Hendryx nga West Virginia University.

Prezantimi i tyre u përqëndrua në efektet direkte të djegies së qymyrit në shëndetin publik, shkatërrimin e ekosistemit, në koston e gjenerimit te energjisë nga qymyri si dhe efektet tjera anësore që shkakton prodhimi i energjisë nga qymyri në jetën e njerëzve.

“Kostoja e prodhimit të një kilovat orë energjie elektrike nga djegia e thëngjillit është shumëfish më e lartë sesa kostoja që zakonisht prezantohet, meqë në to nuk llogariten dëmet që ky prodhim i shkakton në mjedis e sidomos dëmet në shëndetin publik” tha Buonocore nga Universiteti i Harvardit.

Ndërsa Hendryx sqaroi se puna e tyre e gjatë kërkimore ka treguar që njerëzit që jetojnë në afërsi të minierave të qymyrit apo termocentraleve kanë gjasa shumë më të mëdha që të sëmuren nga sëmundjet respiratore dhe ato kardiovaskulare.

Ai poashtu rekomandoi që institucionet e Kosovës të bëjnë një vlerësim të kompletuar për koston dhe dobitë e qymyrit dhe poashtu të bëhet një analize për koston dhe dobitë e strategjive tjera energjetike.

Gjatë diskutimit u theksua se kjo konferencë vjen në një moment kritik për Kosovën, duke pasë parasysh se investimet të cilat do të kenë ndikim në të ardhmen e popullit të Kosovës qoftë në mjedis, ekonomi, shëndetësi po ashtu edhe në perspektivën e integrimeve rajonale, sa nuk kanë filluar.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga institucionet, kryesisht ato shëndetësore, përfaqësues nga Sindikata e Pavarur Energjetike e Kosovës, përfaqësues nga Korporata Energjetike e Kosovës, përfaqësues të fshatrave të komunës së Obiliqit dhe organizata tjera që merren me energji dhe mjedis.

Diskutimet u përqëndruan kryesisht në dëmet shëndetësore, por edhe ato ekonomike që realisht janë të mëdha.

Të zëshëm në këtë konferencë kanë qenë përfaqësuesit e fshatrave Hade, Dardhishtë, Sibovc, duke kërkuar që zëri i tyre dhe diskutimet e kësaj conference të shkojnë tek qeveria, që në të ardhmen të zhvillohen politika të qëndrueshme mjedisore dhe ekonomike.

Në prezantimet e bëra nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq, u tha se Kosova nuk ka sistem të të dhënave shëndetësore dhe as të dhënat për regjistrin e kancerit.

Nga shënimet ekzistuese të IMP-së u tha se vdekjet nga sëmundjet e mushkërive në Obiliq janë 50% më të larta se në komunat tjera.


Gjithashtu, dr.Ilirjana Bajraktari nga Organizata Botërore e Shëndetësisë,  në prezantimin e saj theksoi mungesën e statistikave të sakta nga institucionet gjegjëse lidhur me sëmundjet e mushkërive dhe nivelit të kancerit shkakton ndotja nga përdorimi i qymyrit, për cka edhe profesorët nga ShBA-të shprehën keqardhje dhe zhgënjim.

Valbona Puka nga Institucioni i Avokatit të Popullit, tha se “banorët e fshatrave të Obiliqit ballafaqohen përvec me problemet shëndetësore dhe mjedisore, shtëpitë e tyre ngjajnë në anije, që lëvizin në mënyrë permanente, ku cdo ditë rrezikohen me jetë dhe askush nuk jep përgjegjësi”.

Në këtë konferencë është diskutuar edhe për projektet energjetike në Kosovë dhe për këndvështrimet e shoqërisë civile lidhur me mungesën e transparencës në projektet energjetike dhe mungesën e studimeve për burimet alternative të prodhimit të energjisë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)