Prodhimi energjisë elektrike i mjaftueshëm
Prishtinë, 18 tetor - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka reaguar ndaj komunikatës së KEDS-sit.
Si edhe vitin e kaluar, gjatë muajve të fundit prodhimi i energjisë elektrike dhe performansa e blloqeve të termocentraleve të KEK-ut është shume stabile. Për më tepër, në kushtet kur disa prej njësive ekzistuese kanë tejkaluar jetëgjatësinë e tyre, prodhimi energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese të KEK-ut është më i mirë se në cilëndo periudhë para dhe pas vitit 1999, ka njoftuar KEK-u nëpërmjet një komunikate për media.
KEK-u ka bërë me dije se nga 8 maji i vitit 2013, nuk ka asnjë autorizim për furnizim të konsumatorëve fundorë me energji elektrike, pasi licenca për furnizim është bartur te KEDS-i, me aprovim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, si pjesë e procesit të shthurjes dhe privatizimit të operimit të shpërndarjes dhe furnizimit.
KEK-u i dërgon në baza të rregullta informatat rreth orarit të disponueshmërise së blloqeve të termocentraleve te KEDS-i, që është bartës i licencës së furnizuesit publik dhe i cili ka obligim ligjor të përkujdeset rreth mbulueshmërisë së kërkesës vendore për energji elektrike, është thënë në komunikatën e KEK-ut.
Po ashtu në komunikatë është bërë me dije se është e vërtetë se për shkak të disa problemeve të natyrës teknike, në njësinë që tashmë ka mbushur 45 vjet, KEK-u ka ndalur bllokun A5, i cili pritet të kthehet në kohen më të shpejt të mundshme.
Mirëpo, dy njësitë e Kosovës B si dhe njësia A3 janë duke prodhuar me kapacitet optimal deri me 660 MWh/h. Në bazë të shënimeve të realizimit të konsumit të djeshëm, kjo sasi e prodhimit do të mjaftonte për mbulimin e konsumit vendor po të mos kishte eksport të energjisë elektrike nga ana KEDS-it, është thënë në komunikatë.
Për këto arsye, KEK-u ka vlerësuar se KEDS-i si bartësi i licencës së furnizuesit publik, nëse më të vërtet ka si objektiv përmbushjen e obligimit ligjor të furnizimit të rregullt të konsumatorëve, si ishte rasti me KEK-un kur ishte bartës i licencës në fjalë, duhet të ketë prioritet mbulimin e konsumit vendor si dhe planifikojë mbajtjen e opsioneve kontraktuese të importit emergjent për shkaqe sigurie e jo te justifikohet para konsumatorëve duke i dezinformuar ata, ka njoftuar KEK.