Prodhim rekord në historinë e KEK-ut
Prishtinë, 19 janar - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) pavarësisht sfidave me të cilat ballafaqohet si pasojë e stabilimenteve të vjetra, tashmë ka dëshmuar se është faktor stabiliteti në sektorin energjisë në vend. Si rrjedhojë, pavarësisht situatës së krijuar si pasoj e pandemisë, KEK në vitin 2020 ka arritur rekordin e prodhimit të energjisë elektrike që nga fillimi i operimit në vitin 1962 (shih bashkangjitur diagramin).
Në këtë vazhdë, KEK njofton se edhe përkundër sfidave të lartë cekura dhe situatës së krijuar si pasoj e pandemisë, me angazhimin dhe përkushtimin maksimal të të gjithë punëtorëve të KEK-ut, vitin 2020 e ka përmbyllur me shumë sukses, duke tejkaluar të gjitha pritjet e planifikuara.
Këtë vit termocentrali Kosova A ka tejkaluar planifikimet e prodhimit me 118% apo 6% më mirë se vitin paraprak. Ndërsa Kosova B ka tejkaluar planifikimet e prodhimit me 106.1% apo 6.4% më mirë se vitin paraprak.. Edhe divizioni i prodhimit të qymyrit, ka arritur me sukses të furnizojë dy termocentralet për të prodhuar rrymë për qytetarët e vendit me këtë produkt esencial.
KEK ka arritur me sukses të furnizojë edhe Termokosin me enregji termike e cila shërben për ngrohjen e qytetarëve të kryeqytetit.
Remontet - Janë realizuar edhe remontet periodike në njësitë gjeneruese B-1, B-2 dhe A-3, A-5 duke ndikuar që siguria në njësitë e prodhimit të ngritët në nivelin më të lartë të mundshëm.
Zhvendosja/Shpronësimi – KEK është në përfundim e sipër të projektit të dytë të zhvendosjes në hapësirën prej 129 hektarësh. Duke qenë se KEK gjithnjë është ballafaquar me probleme në këtë fushë, menaxhimi i projektit të dytë konsiderohet si storije e suksesit pasi që zhvendosja po përfundon me një bashkëpunim të shkëlqyer me MEA dhe banorët e afektuar.
Komuniteti - KEK investon rreth 200 mijë euro në vit për komunitet. Në vazhdimësi po realizohen projekte për përkrahje të komunitetit në rrethinën ku operon KEK-u, projektet kanë të bëjnë kryesisht me parqe, fusha të sportit, ndriçime të rrugëve etj. Deri këtë vit këto projekte janë realizuar vetëm në Komunën e Obiliqt, ndërsa këtë vit e kemi ndarë edhe një projekt për ndërtimin e një parku në Bardh të Madh në Fushë Kosovë.
Së fundmi KEK-u ka dëshmuar se është faktor stabiliteti në sektorin e energjisë edhe duke mbështetur dhe bashkëpunuar ngushtë me të gjithë akterët e sektorit të energjisë (Aksionari, KOSTT, ZRRE, KEDS/KESCO) për pavarësimin e sektorit energjetik të Republikës së Kosovës.