Prezantohet projekti i KOSTT për ndërtimin e Nënstacionit të ri në Ferizaj
Prishtinë, 19 gusht - Nën organizimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT sh.a dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sot më 19 gusht 2021 në ambientet e Kuvendit Komunal të Ferizajt si dhe përmes platformës online Zoom është mbajtur Debat Publik për çështjet ambientale të projektit për ndërtimin e Nënstacionit të ri 110/35/10(20)kV Ferizaj 3 me infrastrukturë përcjellëse.
Në Debatin Publik në të cilin ishin të ftuar qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve qendrore dhe të komunës së Ferizajt u prezantua Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) për këtë projekt, me ç'rast të gjitha palëve të interesuara u është ofruar mundësia që të parashtrojnë pyetje për çështje me interes në lidhje me projektin.
Raporti i VNM-së për këtë projekt i cili është prezentuar duke i konsideruar të gjitha ligjet dhe procedurat relevante sipas Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ka pasur për qëllim identifikimin dhe parashikimin e ndikimeve të mundshme në mjedis si rezultat i këtij projekti si dhe identifikimin e masave të nevojshme për mbrojtjen e mjedisit nga ndikimet eventuale.
Në bazë të analizës së prezantuar përmes Raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis për projektin kapital të KOSTT për ndërtimin e nënstacionit të ri 110 kV Ferizaj 3, u konstatua që implementimi i këtij projekti nuk ka efekte të dëmshme domethënëse për mjedisin.
Implementimi i projektit do të ketë ndikim pozitiv sa i përket krijimit të kushteve për furnizim cilësor me energji elektrike për qytetarët e Komunës së Ferizajt, nga aspekti I transmetimit si dhe do të ndikoj në hapjen e një perspektive të re për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në këtë komunë.