Prezantohet grupi punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031
Prishtinë, 18 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në prezantimin e grupit punues për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031.
Sektori i energjisë është sektor prioritar për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse ky sektor prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve, tha në fillim të fjalës së tij hyrëse, kryeministri Kurti.
Në njëzet vitet e fundit, sektori i energjisë në vend nuk ka pasur pothuajse asnjë vendim në të mirë të qytetarëve, e që është bazuar në studime, analiza shumë-dimensionale e në të dhëna faktike.
Ndërsa, gjatë qeverisjes sonë ne po hartojmë Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2020-2031, e cila është e para strategji e energjisë, e cila do të bazohet në të dhëna dhe do të përpilohet nga ana e ekspertëve, u shpreh me tej kryeministri Kurti.
“Synimet tona në sektorin e energjisë dhe gatishmëria jonë janë në përputhshmëri me reformat që po miratohen e që po promovohen në nivel evropian e së fundi edhe në Konferencën e 26-të të shteteve nën Konventën e OKB-së për ndryshime klimatike, që u mbajt në Glasgow”, theksoi kryeministri.
Ai veçoi skemat mbështetëse konkurruese, si shembuj të mënyrave që do të ndihmojnë në uljen e çmimeve për zhvillimin e energjisë së pastër, sepse, siç deklaroi kryeministri Kurti, strategjia duhet po ashtu të sigurojë që energjia elektrike përveçse e qasshme, të jetë edhe e përballueshme për qytetarët, në veçanti për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se si Ministri e Ekonomisë jemi të angazhuar, që së bashku me grupin punues të zhvillojmë një strategji, që do të sigurojë një tranzicion energjetik e që për vizion ka dekarbonizimin deri në vitin 2050, ndërkohë që ruan sigurinë energjetike dhe të përballueshme për konsumatorët, rritë përdorimin e energjisë së pastër, dhe siguron integrim rajonal të tregut të energjisë në një mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme. “Siguria e furnizimit me energji elektrike mbetet shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik”, tha ministrja Rizvanolli.
Kryeministri i uroi punë të mbarë grupit punues dhe i ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë, duke i inkurajuar që gjatë hartimit të strategjisë të ftojnë edhe ekspertë tjerë të jashtëm, shoqërinë civile, sektorin privat vendor, dhe akterë tjerë që të kontribuojnë në hartimin e një strategjie transparente. Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli shprehën mirënjohjen e tyre për grupin e ekspertëve, ndihmën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe të gjithë kontribuuesve të tjerë.