Prezantohen mundësit që ka Kosova për të prodhuar energji të pastër
Prishtinë, 27 janar - Koncorsiumi i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm ka organizuar të premten një tryezë diskutimi mbi alternativat e energjisë në Kosovë.
Në këtë tryeze fillimisht është prezantuar një studim i Laboratorit të Universitetit të Kalifornisë Berkeley sa i përket skenarëve të mundshëm të energjisë në vendin tonë.
Dr. Daniel Kammen, profesor në Berkeley dhe autor i studimit prezantoi gjetjet rreth mundësive që i ka Kosova për të prodhuar energji të pastër.
Një skenar i joni, që është mjaft konzervativ, pra nuk kemi shkuar në formë agresive të llogaritjes së potencialit të energjisë së ripërtritshme, tregon se Kosova mund të ketë 38% të energjisë që shpenzon nga burime alternative ka thënë Dr. Kammen, duke potencuar se ky skenar, pa përfshirë ndërtimin e termocentralit Kosova e Re do të mund të krijonte 27% më shumë vende të reja të punës sesa skenari aktual.
Skenari i prezantuar parasheh një kapacitet deri në 141MW nga burimet e erës, 140MW nga hidrocentralet, 800kW nga energjia solare dhe deri në 165MW nga biomasa. Sipas këtij skenari, Kosova do të mund të kishte furnizim të mjaftueshëm, pa pasur nevojë të ndërtohen kapacitete të reja gjeneruese nga thëngjilli, deri në vitin 2020.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka çmuar lartë studimin e prezantuar duke thënë se studimet e tilla do të hyjnë në punë për zhvillimin e politikave të energjisë në Kosovë.
Gjatë këtyre 12 viteve, në sektorin e energjisë në Kosovë janë ndjekur me të vërtetë politika të gabuara, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se po të shfrytëzoheshin mirë kapacitetet njerëzore dhe natyrore, vendi tani do të ishte në pozitë më të mirë për sa i përket energjisë.
Në tryezë, të pranishmit janë pajtuar se Kosova A që mbetet ndotësi më i madh në rajon, duhet të mbyllet sa më parë. Po ashtu është diskutuar edhe gatishmëria politike për të mbështetur një agjendë të diversifikuar të prodhimit të energjisë dhe rritjes së efikasitetit të distribucionit.
Përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e kanë mirëpritur analizën por kanë argumentuar që përdorimi i qymyrit është opsioni më i lirë për momentin për vendin. Sidoqoftë, panelistë pjesëmarrës kanë thënë se çmimi i prodhimit të energjisë me qymyr nuk merr parasysh koston e vërtetë të qymyrit.
Përfaqësuesit e instituteve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe organeve ndërkombëtare janë pajtuar që ka nevojë për më shumë dialog e gatishmëri politike për implementimin e çfarëdo strategjie në sektorin e energjisë.
Tryeza është organizuar nga DokuFest, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Instituti Riinvest, International Crisis Group (ICG), Internews Kosova, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Saferworld.