Presidentja Leyen konfirmon 75 milionë euro për Kosovën për krizën energjetike
Prishtinë, 27 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për herë të dytë në pak më shumë se një vit ka mirëpritur në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në këtë takim, kryeministri Kurti e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, dhe për punën e qeverisë në reformën në drejtësi, përmbushjen e agjendës evropiane dhe për luftimin e krimi dhe korrupsionit.
Ai veçoi të gjeturat e raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha.
Duke përfshirë këtu Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon, dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë.
Sa i përket rrugës së Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti. Ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE.
Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.
U diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian. Bashkimi Evropian ka qenë partner i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës.
Në këtë takim të sotëm, u konfirmua ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë.
Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës.
Falë financimit të Bashkimit Evropian, objekti tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore ndërkaq Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore ka investuar në efiçiencën e energjisë së këtij objekti.