Policia e Çekisë nis hetimet për CEZ-in në Shqipëri
Pragë, 18 shkurt - Policia e Republikës së Çekisë ka nisur një hetim për investimin e kompanisë CEZ në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Reuters, e cila shkruan se organet e antikorrupsionit në Çeki po hetojnë katër marrëveshje të grupit energjetik, përfshirë këtu edhe CEZ në Shqipëri.
Zëdhënësja e CEZ, Barbara Pulpanova tha për Reuters se, policia ka nisur të mbledhë informacione që prej më shumë se një viti në lidhje me këto marrëveshje katër marrëveshje.
I kemi dhënë vazhdimisht informacionet e kërkuara policisë,- tha Pulpanova, e cila nuk preferoi që të jepte më tepër detaje.
CEZ mund të humbasë deri në 200 milion euro nga investimi i tij në Shqipëri dhe e ka çuar çështjen në arbitrazh kundër shtetit ballkanik, shkruan Reuters.
Zëdhënësja e grupit energjetik CEZ, Pulpanova deklaroi se grupi ka investuar jashtë vendit që nga viti 2005 një shumë prej 2.8 miliardë eurosh.
Ajo shtoi se kompania ka patur vështirësitë më të mëdha në Shqipëri. Megjithatë sipas zëdhënëses, CEZ pret rikthimin e të gjithë investimit të vet jashtë vendit, përveçse atij në Shqipëri, për shkak se autoritetet shqiptare i hoqën licencën grupit çek.