Përurohet ujësjellësi në fshatra të Suharekës
Prishtinë, 20 tetor - Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë sot në përurimin e ujësjellësit në fshatin Nëpërbisht të Suharekës, si projekt i përbashkët mes Komunës së Suharekës, CDI-së zvicerane dhe Hidroregjionit Jugor.
Ministri Kuçi u shpreh i kënaqur me këtë zhvillim, që i paraprinë edhe përurimit të ujësjellësit në fshatrat Reqan dhe Maqitevë, duke i bërë këto fshatra me ujë të pijes të kontrolluar. Përpos këtij projekti, ministri tregoi edhe për projektin që do t’i zgjidh Suharekës problemin e ujit të pijes përgjithmonë.
“Dua ta shfrytëzoj momentin për të treguar që e kemi biseduar bashkë me kryetarin për mundësitë e investimeve nga niveli qendror, bashkë edhe me Hidroregjionin, që kanë të bëjnë me rezervarin e madh tek Pusi i Atit, me ç‘rast ministria ka ndarë apo ka planifikuar buxhet për vitin e ardhshëm diku në vlerë prej 800-mijë euro. Ai rezervar shton sasinë e ujit në qytet, e po ashtu bën mbulimin e të gjitha lagjeve me furnizim me ujë në qytet”, tha Kuçi, duke përmendur edhe mundësinë e furnizimit nga Radoniqi për fshatrat e anës që lidhen me Mamushën.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj tregoi se projekti ka kushtuar 425-mijë euro, duke potencuar se ka lagje që do të shkojë uji për herë të parë tash.
Ndërsa, kryeshefi i Hidroregjionit Jugor, Zenel Zenelaj falënderoi CDI-në zvicerane, si donatori më i madh në këtë fushë.