Persona të papërgjegjshëm dëmtojnë largpërçuesit
Prishtinë, 20 dhjetor - Kompania Kosovare e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike ka bërë të ditur se sot nga persona të papërgjegjshëm është bërë dëmtimi i dy largpërçueseve në Fidanishte dhe në Kastriot dhe si pasojë është bërë ndërprerja e furnizimit të energjisë elektrike për rreth 1500 konsumatorë.
Ekipet e KEDS janë në terren dhe duke bërë të pamundurën që prishja të evitohet sa më shpejtë që është e mundur.
KEDS në vazhdimësi përballet me prishje dhe dëmtime të qëllimshme dhe të paqëllimshme nga qytetarët dhe kjo e bën furnizimin me energji elektrike të pamundur në pjesët ku këto dëme shkaktohen.
Përveç të lartpërmendurave përballemi edhe me rrjet të vjetërsuar të distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike të trashëguar nga KEK pas procesit të privatizimit.
Prishje të tilla pengojnë zyrtarët e KEDS në terren për të zhvilluar projektet investuese me qëllim të minimizimit dhe / ose shuarjes së problemeve teknike në rrjet me qëllim të furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike.
Përfundimisht, luten të gjithë qytetarët që të mos i shkaktojnë dëme rrjetit të distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike në mënyrë që furnizimi me energji elektrike të jetë i mundshëm dhe i vazhdueshëm.
Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), është shoqëri aksionare me operim në tërë territorin e Kosovës.
KEDS sh.a. ka ekskluzivitetin e furnizimit me energji elektrike dhe shpërndarjes së saj. KEDS sh.a. është themeluar në vitin 2009, ndërsa ka filluar aktivitetet e saj operative më 8 maj 2013, kur është ndarë përfundimisht nga KEK sh.a.