Përgatitet marrëveshja për mbështetjen e projekteve energjetike
Prishtinë, 2 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot përfaqësuesin e Bankës Botërore, Jane Peter Olters, nga i cili është njoftuar për strategjinë energjetike për katër vitet e ardhshme të Bankës Botërore dhe për vizitën që do ta ketë gjatë muajit mars në Kosovë, zv.drejtori i Bankës Botërore, Philipe Le Houerou, në kuadër të përgatitjes së marrëveshjes për mbështetjen e projekteve energjetike të vendit tonë.
Olters ka pohuar interesimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projekteve energjetike në Kosovë mbi bazën e linjitit, të cilat, sipas ekspertëve të kësaj banke, nuk janë në kundërshtim me parimet bazë kundër ngrohjes globale.
Kryeparlamentari Krasniqi e ka vlerësuar të rëndësishme për Kosovën vizitën e Philipe Le Houerou, kurse e ka përshëndetur përkushtimin e Bankës Botërore për ti mbështetur, në formë subvencionesh, projektet energjetike në Kosovë.
Bashkëbiseduesit në këtë takim janë pajtuar se gjatë vizitës në Kosovë Le Houerou të ketë takim edhe me të përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të sqarohen politikat e Bankës Botërore dhe prioritetet e këtyre partive, si parakusht për një ratifikim të suksesshëm të marrëveshjes eventuale ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore.