Përcaktohen masat për mbrojtje më efikase të mjedisit
Prishtinë, 18 nëntor - Sot, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, vizituan kompaninë e Ferronikelit në Drenas.
Ky takim është organizuar me qëllim të zbatimit sa më efikas të të gjitha masave mbrojtëse të parapara me ligj.
Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimeve dhe bashkëpunimit të afërt që MMPH ka filluar me të gjitha kompanitë që, për nga natyra e punës, konsiderohen ndotës të mëdhenj të mjedisit.
Në takim palët u dakorduan për vazhdimin e procedurave sa i përket Lejes së Integruar, për të cilën leje, kompania e Feronikelit do të aplikojë ditëve në vazhdim.
Leja e Integruar parashihet me Ligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes së Mjedisit e që është në përputhje të plotë me Direktivën Evropiane 96/61 EC të IPPC (Integrated Pollution Prevention and Control).
Leja e integruar përfshinë përcaktimin e kontrolleve të duhura për industrinë që ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet një procesi të vetëm të një lejeje.
Ndërsa stafi i kompanisë së Feronikelit është zotuar se në përputhje me planin dinamik që do të vendoset nga grupet punuese, do të plotesojnë të gjitha kushtet e parapara në Lejen Integruese.