PE dëshiron që Kosova të ketë energji të pastër
Prishtinë, 19 prill - Dje Parlamenti Evropian iu kundërvu Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për shqyrtimin e financimit të termocentralit me linjit Kosova e Re, i cili do të ndërtohet në afërsi të Prishtinës dhe do të kushtojë 2 miliardë euro.
Në një amendament të raportit mbi procesin e integrimit evropian të Kosovës , Parlamenti e dënoi qëndrimin e bankës e cila i jep prioritet ndërtimit të termocentralit me linjit me kapacitet prej 600 MW dhe jo masave për shtim të efiçiencës së energjisë dhe projekteve për energji të ripërtëritshme.
Në vend të kësaj, Parlamenti kërkoi nga Komisioni Evropian që të ndërmerr veprime për të kontestuar planin e BERZH-it për shkak të kundërthënieve të këtij plani me arritjet e caqeve klimatike të BE-së.
Kjo rezolutë ia dërgon BERZH-it një përkujtim të fuqishëm se ajo obligohet të veprojë në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe se nuk do duhej të financojë bomba të tilla të kurdisura mjedisore, tha Ionut Apostol, përgjegjës për kampanja energjetike rreth BERZH-it.
Kosova e Re është më e shtrenjtë se sa alternativat e veta dhe do ta detyronin Kosovën që të prodhojë sasi të mëdha të energjisë nga linjiti për dekada me radhë, duke i lënë anash burimet më të qëndrueshme të energjisë dhe duke rrezikuar aftësinë e Kosovës për tiu përmbajtur kushteve të BE-së për energjinë dhe ndryshimet klimatike.
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka kërkuar nga Parlamenti Evropian që të përcjell zbatimin e rezolutës së vet dhe të kërkojë nga BERZH-i që të fokusohet në financimin e projekteve energjetike nga burimet e ripërtëritshme dhe për shtimin e efiçiencës energjetike në Kosovë, në vend se ta financojë termocentralin Kosova e Re.
Agron Demi nga KOSID-i deklaroi se Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që investimet aktuale dhe të ardhshme në Kosovë të jenë në pajtueshmëri me zotimet e BE-së për ndryshime klimatike dhe të jenë të fokusuara në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe ngritjen e efiçiencës energjetike.
Ky amendament i parapriu miratimit të strategjisë së parë shtetërore për Kosovën, që është anëtarja më e re e Bankës, që pritet të ndodh më 1 maj.
Organizata të shoqërisë civile, ndërkombëtare dhe nga Kosova, kanë shprehur dëshpërimin e tyre me faktin se tipari më konkret i kësaj strategjie është përkrahja e termocentralit Kosova e Re, i cili ishte paraparë se do të zëvendësojë termocentralin ekzistues Kosova A.
Planet për të përkrahur masat tejet të nevojshme për kursim të energjisë, shtim të efiçiencës energjetike dhe shfrytëzim të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë nuk janë të definuara sa duhet në strategjinë shtetërore.