Obiliqi do të padisë KEK-un për dëmet që po i shkakton banorëve
Prishtinë, 3 mars - Komuna e Obiliqit në Kosovë do të padisë Korporatën Energjitike të Kosovës për dëmet që KEK po i shkakton banorëve.
Ata ndjehen të diskriminuar jo vetëm se prej vitesh durojnë pasoja e ndotjes së shkaktuar nga KEK në Obiliq, por tani janë të detyruar të vuajnë dhe mungesën e furnizimit me energji.
Kryetari i komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, ka thënë për Kosovapress se padia tashmë e përgatitur do të dërgohet në gjykatë nëse nuk gjenden zgjidhje për problemet e tyre.
Sipas tij, në padi përfshihen akuza për ndotjen e madhe të ambientit nga termocentralet e KEK-ut, si pasojë e të cilit popullata kërcënohet nga sëmundje të shumta.
Për më tepër, kreu i komunës së Obiliqit thotë se pavarësisht insistimit të komunës për të gjetur një zgjidhje me zyrtarët e KEK-ut, as që kanë treguar interesim që të merren me këtë çështje.
Në Obiliq ndodhen dy termocentralet Kosova A dhe B, puna e të cilëve bën që niveli i ndotjes së ajrit ti kalojë të gjitha parametrat e lejueshme.