Nuk aprovohet kërkesa e KEK-ut për shtrenjtimin e rrymës
Prishtinë, 24 shkurt - Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që tarifat e energjisë elektrike, që do të aplikohen nga 1 prilli i vitit 2011, të mos ndryshohen dhe të mbesin në të njëjtin nivel me ato të vitit 2010.
Tarifa e tanishme mesatare e rregulluar me çmimin e shitjes së energjisë elektrike me pakicë, është 5.59 euro cent për kilovat -orë.
Sipas vlerësimit të ZRRE-së sigurimi i të hyrave të nevojshme për Korporatën Energjetike të Kosovës mund të arrihet edhe me një zbritje të çmimit të tarifës së energjisë elektrike deri në 5.13 euro centë për kilovatorë.
Në raportin konsultativ të ZRRE-së, thuhet se KEK-u me aplikacionin e vet ka kërkuar të Hyra të Lejuara për vitin 2011 në vlerë prej 201 milionë euro. Por, pas shqyrtimit të aplikacionit dhe zbatimit të rregullimeve të nevojshme, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat e Lejuara të nevojshme për KEK-un si furnizues publik për vitin 2011 janë 184.6 milionë euro.
Të hyrat e kërkuara në aplikacionin e KEK-ut do të paraqisnin një rritje mesatare të tarifës së rregulluar në krahasim me tarifat e tanishme për 3.5 për qind respektivisht 5.78 c/kah, thuhet në raportin konsultativ. Megjithatë vlerësimi i ZRRE-së ka dal të jetë shumë më i ulët.
ZRRE, ka vlerësuar se niveli i duhur i të Hyrave të Lejuara (HL) që Furnizuesi Publik i KEK-ut duhet të mbledhë nga tarifat e rregulluara pas 1 prillit 2011 është 184.6 milionë euro. Kjo vlerë paraqet rritje prej 18.0% nga të Hyrat e Lejuara në kuadër të Shqyrtimit Tarifor Energjisë Katër (SHTE4) që është bërë vitin e kaluar. Të hyrat e lejuara të vlerësuara nga ZRRE rezultojnë me një ulje mesatare të tarifës së rregulluar për 8.2% respektivisht 5.13 c/kah, thuhet vlerësimet e ZRRE-së.
Sipas ZRRE-së, ndryshimet në legjislacionin primar kërkojnë përshtatje edhe të legjislacionit sekondar, përkatësisht Metodologjisë Tarifore, që pritet të shkaktojë rritje shtesë të tarifave të energjisë. Duke pasur parasysh këtë, ZRRE propozon që tarifat për vitin 2011 të mos ndryshohen dhe të mbesin në të njëjtin nivel me ato të vitit 2010.