Njësia A4 në KEK jashtë prodhimit, KEDS importon energji elektrike
Prishtinë, 29 qershor - Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka bërë të ditur se ditë më parë është informuar për ndërprerjen e paparalajmëruar të njësisë A5 në termocentralin Kosova A të KEK-ut dhe që kjo njësi do të jetë jashtë prodhimit për 10 ditë.
\"Sot nga KEK-u jemi informuar edhe për ndërprerje të prodhimit në njësinë A4 të KEK-ut. Momentalisht, përkundër planifikimit paraprak dhe bilancit energjetik të aprovuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, sistemi energjektik në Kosovë ka mungesë prodhimi, që vjen edhe nga dy njësitë e Kosovës A që për momentin janë jashtë funksionit. Në punë janë vetëm dy njësitë në termocentralin Kosova B\".
\"Nga KEK-u jemi informuar që janë duke bërë të pamundurën që të sanojnë problemin në njësinë A4 dhe pritet që kjo njësi të kthehet në prodhim ditën e nesërme, deri sa ende janë duke punuar në rregullimin e avarisë në njësinë A5\", thekson KEDS.
Ndërprerje të tilla të paplanifikuara dhe të paparalajmëruara shkaktojnë vështirësi në furnizimin me energji elektrike për konsumatorë, duke qenë se në sektorë të rregulluar publik çdo devijim nga cilido operator, shkakton probleme në funksionimin e rregullt të sektorit energjetik dhe në planifikim.
Në momentin që është njoftuar, KEDS ka filluar procedurat për realizimin e importit të nevojshëm për furnizim me energji elektrike për 10 ditët në vijim. Mirëpo, në raste të tilla të paparalajmëruara dhe të paplanifikuara, importi emergjent kërkon kohë për tu realizuar, meqenëse si proces nuk varet nga KEDS. Për më shumë, një proces i tillë kërkon disponueshmëri të mjaftueshme të energjisë për import në treg, që jo gjithmonë është e gatshme në momente të paplanifikuara.
Në përfundim, KEDS është duke bërë maksimumin që kjo avari në KEK të mos ndikojë në përditshmërinë e konsumatorëve.