Nisin punimet në rrjetin e ngrohjes në qendër të qytetit
Prishtinë, 14 qershor - Në kuadër të punimeve, që po zhvillohen në fazën e dytë të Projektit të kogjenerimit për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes, NP Termokos ka bërë të ditur se prej nesër do të fillojnë punimet në segmentin nga Pallati i Rinisë deri tek Qendra e Regjistrimit Civil.
Punimet për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes, përkatësisht ndërrimi i gypave të vjetër me gypa të rinj të paraizoluar në këtë segment planifikohet të përfundojë brenda një afati sa më të shpejtë kohor.
Derisa pjesa më e madhe e punimeve do të zhvillohet në pjesën e trotuareve në afërsi të objekteve të Policisë së Kosovës, kjo nuk do të paraqesë ndonjë problem për qarkullimin në komunikacionin rrugor.
Gjithë qytetarëve, që gjatë kësaj periudhe kohore sa do të zgjasin punimet, do të kenë nevojë të lëvizin përgjatë këtyre trotuareve, paraprakisht ju kërkojmë falje për pengesat, që do të paraqiten për lëvizjen e lirë deri në përfundimin e punimeve.
Njëkohësisht, NP Termokos Sh.A kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, ngase me punimet, që do të zhvillohen për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes do të sigurohet ngrohje, stabile, më cilësore dhe e mjaftueshme për gjithë konsumatorët tanë.