Nis projekti TC Kosova Re, 1 miliard investime, mijëra vende pune
Prishtinë, 20 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka bërë të ditur se Komiteti Drejtues Projektit TC Kosova e Re ka marrë vendim që kompania amerikane Contour Global të shpallet fitues i preferuar, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me kapacitet 500MW, me një investim prej 1 miliard euro, duke arritur të finalizojë një projekt të nisur për më shumë se një dekadë.
Gjatë një konference për media, Ministri Stavileci tha se pas negociatave të suksesshme është arritur që IRR të ulet në 21.5% (nga 30% e vlerës së projektit) nga 23-27% sa ishte kërkesa paraprake e ofertuesit dhe shtoi se komponentët kryesore mbi të cilat janë zhvilluar negociatat ishin sigurimi i furnizimit me energji dhe kosto e përballueshme e tarifave të energjisë.
Çështja e dytë me të cilën jemi dakorduar ka qenë kapaciteti gjenerues prej 500 MW dhe për më tepër kemi bërë disa avancime tjera të konsiderueshme siç është ndikimi në buxhetin e shtetit që do të jetë 0 % dhe shpresojmë që pas përmbylljes finale të këtij projekti ti sjellim vendit një investim prej rreth 1 miliard euro, ku 30 % e tyre janë nga investitori privat, që do të jetë investimi më i madh në vendin tonë, tha Stavileci.
Kreu i MZHE-së bëri të ditur se kjo njësi gjeneruese do ta ketë efiçiencën 40%, që është 3% më e lartë se sa ka qenë plani fillestar dhe i adreson në mënyrën më të mirë të mundshme problemet mjedisore, dhe potencoi se janë arritur të gjitha synimet për të pasur një projekt brenda të gjitha standardeve të pranueshme, që do të fillojë ti jap frymë ekonomisë së vendit tonë.
Sipas Stavilecit, faza e negocimit të marrëveshjeve të tjera deri në përmbylljen e marrëveshjes komerciale do të marrë një kohë prej 4-6 muaj, e cila do të pasohet nga
faza e përgatitjes së pakos tenderuese për ndërtimin e termocentralit, dhe sipas planifikimit në fund të vitit 2016 apo në fillim të vitit 2017 pritet të nis ndërtimi.
Ai më tutje theksoi se ky kapacitet do të zgjidh problemin e energjisë në masë të madhe, ndërsa pritet të përfundojë nga fundi i vitit 2021 apo fillimi i vitit 2022, me çka është e lidhur edhe dekomisionimi i TC Kosova A.
Ministri nënvizoi se ky investim pritet të hapë mijëra vende pune dhe përçon një mesazh shumë të mirë edhe te investitorët e tjerë edhe te organizatat e tjera që janë partnere si Banka Botërore edhe organizatat e tjera ndërkombëtare financiare, të cilat e kanë pritur me padurim përmbylljen e suksesshme të kësaj faze, të këtij projekti vital për shtetin tonë.