Nga sot situata sinoptike do të stabilizohet
Prishtinë, 4 prill - Instituti Hidrometerologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se pas reshjeve të ditëve të fundit që përfshijnë vendin tonë, situata sinoptike do të stabilizohet.
Ky ciklon parashihet që të dobësohet për të vazhduar tutje me mot relativisht të mirë dhe me intervale të gjata me diell.
Riga të dobëta mund të ketë gjatë javës, si pasojë e zhvillimit të vranësirave lokale , por reshje siç patëm ditëve të fundit , nuk parashihen.
Sot në orët e para të ditës parashihen ngrica të dobëta të cilat mund të jenë të dëmshme për disa lloje të pemëve të cilat vetëm se janë në fazën e lulëzimit.
Temperaturat minimale do të lëvizin rreth zeros deri në 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të jenë tipike pranverore, duke lëvizur në kufijtë 10-20 gradë Celsius.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet e ndryshme.