Nga shtatori do të paguhet taksa për rikyçje
Prishtinë, 25 gusht - Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka paralajmëruar se që nga shtatori i këtij viti do të fillojë me tarifa të reja për konsumatorët, të cilët, për shkak të borxhit të grumbulluar, do tu shkyçet energjia elektrike.
E me rastin e rikyçjes konsumatorët duhet ti paguajnë 15 +TVSH për amvisëri dhe 30 +TVSH për konsumatorë komercialë. Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, ka deklaruar për gazetën Epoka e re se nga shtatori do të fillojë të zbatohet taksa për rikyçje të energjisë elektrike.
Duke filluar nga shtatori 2014, bazuar në rregullën për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS-i do të fillojë ta zbatojë taksën për shërbimin e rikyçjes për konsumatorët që nuk i kryejnë obligimet me kohë dhe shkyçjen nga rrjeti i energjisë elektrike për shkak të borxheve, ka thënë Shkodra.
Ai ka deklaruar se kompanitë e sigurimit Besa Security dhe Security Code janë kontraktuar nga KEDS-i për ta bërë shkyçjen e konsumatorëve, të cilët nuk e paguajnë energjinë elektrike në afatin e paraparë. Kompanitë e sigurimit janë kontraktuar nga KEDS-i me procedura të rregullta të tenderimit për ta bërë shkyçjen dhe për ta siguruar ndërrimin e njehsorëve. Kontraktimi i këtyre kompanive është bëre me qëllim të rritjes së cilësisë dhe performancës së KEDS-it dhe me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira për konsumatorë, ka thënë Shkodra, duke shtuar se pagesa dhe kërkesa për rikyçje do të bëhen në pikat e KEDSI-t.
Sipas Shkodrës, pas pagesës së borxheve dhe parashtrimit të kërkesës, rikyçja do të bëhet brenda 24 orëve. Të gjithë konsumatoret që nuk i bëjnë pagesat e energjisë elektrike në kohë janë subjekt i shkyçjes në bazë të Rregullës për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka deklaruar Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it. Ai ka apeluar te qytetarët që ti kryejnë pagesat me kohë pasi, sipas tij, është në të mirën e shoqërisë. Luteni të keni parasysh që pagesat në kohë të energjisë elektrike janë në të mirë të shoqërisë, konsumatorëve të rregullt dhe gjithë sektorit të energjisë elektrike, është shprehur Shkodra.
Në anën tjetër, qytetarët e Republikës së Kosovës janë shprehur të shqetësuar për këtë taksë, e cila do të aplikohet nga shtatori. Migjen Maxharri nga Istogu ka deklaruar se tarifa e re nga KEDS-i do ta dëmtojë edhe më shumë xhepin e varfër të qytetarit të Kosovës.
Nga pasuria që kemi me linjit në Kosovë, rryma është mjaft e shtrenjtë. Në disa vende të botës së tretë, siç është rasti i Azerbajgjanit, që nga viti 1991 rryma është pa pagesë sepse ata kanë shumë pasuri të gazit dhe naftës, ka thënë Maxharri. Kurse Arben Krasniqi nga Prishtina ka deklaruar se kjo tarifë do të ndikojë shumë në mirëqenien e qytetarëve, duke i marrë parasysh pagat e ulëta në Kosovë.
Tarifa do të ndikojë shumë në mirëqenien e qytetarëve, pasi është bërë edhe paralajmërimi se do të rritet edhe tarifa e rrymës dhe tani, nëse aplikohet edhe ky projekt për rikyçjen prej 15 eurosh, është jashtëzakonisht shumë, marrë parasysh rrogat dhe standardin e jetës në Kosovë, ka theksuar Krasniqi, duke shtuar se në shtetet perëndimore rikyçja kushton më shumë sesa kyçja. Atje e kanë rregull. Nëse ta këpusin energjinë elektrike dhe ti nuk e paguan brenda dy ditëve, për rikyçje duhet ti paguash 200 euro ose edhe të dërgojnë në Gjykatë, mirëpo atje qytetarët marrin rroga mbi 2 000 euro, kurse këtu rroga minimale është 170 euro, ka thënë ai.
Dënimet për rikyçjen ilegale
Ligji nr 03/L- 201 për energji elektrike parasheh gjoba nga 500 deri në 5 000 euro për personat fizikë, kurse për personat juridikë nga 5 000 deri në 50 000 euro.
Kaçaniku: 30 për qind e konsumatorëve janë të varfër
Selatin Kaçaniku nga Organizata Konsumatori ka deklaruar se 30 për qind e konsumatorëve janë të varfër. Ne duke pasur mbi 30 për qind konsumatorë të varfër, të cilët nuk janë të përfshirë në skemën e pagesës, do të krijojmë pakënaqësi në përmasa të gjëra nëse shteti ende nuk është marrë me trajtimin e tyre, ka thënë Kaçaniku.
Ai ka shtuar se kjo tarifë do të ndikojë në mirëqenien e qytetarëve dhe nga konsumatori i varfër, sipas tij, askush nuk ka leverdi. Konsumatori i pasur është faktor shumë i rëndësishëm për ta pasur një shtet të pasur në të gjitha shkallët e tjera. Çdo institucion, çdo biznes pasurohet nëse është konsumatori i pasur, askush nuk ka leverdi nga konsumatori i varfër, ka deklaruar ai. Ai ka kritikuar disa zyrtarë të shtetit, të cilët, sipas tij, më shumë merren me miqtë e tyre, të cilët i ledhatojnë për mospagesa të majme, sesa me konsumatorin e varfër, i cili detyrohet të dalë në rrugë për ti kërkuar të drejtat e veta.