23 Dhjetor 2024

New Yorku fillon përdorimin në masë të energjisë diellore

New York, 24 prill - Të dielën, më 22 prill ishte Dita e Tokës. Kjo ditë filloi të shënohej në mbarë botën në vitin 1970. Është dita që i kushtohet mjedisit dhe kur njerëzit shfrytëzojnë rastin për të pakësuar ndotjen dhe për të jetuar më pranë dhe në harmoni me natyrën. Për banorët e qyteteve, kjo mund të paraqesë sfida të mëdha.

Në New York, një qytet që përpiqet shumë për të plotësuar nevojat në rritje për energji përmes burimeve të ndryshme, si qymyri, gazi natyror dhe energjia bërthamore, po bëhen përpjekje të mëdha për të shfrytëzuar një burim energjie shumë më të pastër dhe të pakufishme, Diellin.

Prej vitesh Nju Jorku njihet si qyteti “i kurajos dhe i pisllëkut”. Por Kryetari i Bashkisë Mike Bloomberg, thotë se ai do që qyteti i njohur me nofkën “Big Apple” të bëhet i njohur për vlerat e tij “të gjelbëra” dhe përdorimin përherë e më tepër të formave të energjisë së pastër, si ajo diellore. Në një konferencë shtypi, zoti Bloomberg bëri të njohur instalimin e paneleve diellore në 10 ndërtesa të qytetit, në kuadrin e një programi pilot.

“Kemi vendosur panele diellore nëpër shkolla, stacione zjarrfikësish, rrethinat e policisë dhe ndërtesa të tjera. Përsa i përket teknologjisë së gjelbër, qeveria e Nju Jorkut mendoj se po udhëheq me shembullin e vet. Me ne po bashkohen përherë e më tepër disa kompani të sektorit privat.”

Një nga këto kompani është River 2 - River Reality, e cila ka në pronësi disa objekte luksoze të Manhatenit. Presidenti i kompanisë, Dan Neiditch, shfrytëzoi stimujt bujarë nga taksat shtetësore dhe ato federale për të instaluar panele diellore në taracat e kompleksit të tij të apartamenteve me 47 kate, në qendër të Manhatenit.

“Ne jemi një nga ndërtesat më të larta në SHBA që ka vendosur panele diellore në çati. Ne u kompensuam për më tepër se 50 për qind të shpenzimeve të projektit. Fatura e energjisë elektrike na u pakësua me 20 për qind nga koha kur vendosëm panelet vitin e kaluar. Na pëlqen shumë kjo, ashtu sikurse edhe fakti se është diçka e mirë për mjedisin. Ky projekt ndihmon për të shpëtuar planetin dhe njëkohësisht kursen paratë tona.”

Neidich thotë se panelet diellore të ndërtesës po ashtu kanë tërhequr klientë të pasur, të cilët duan të jetojnë duke shfrytëzuar energjinë e pastër.

“Disa njerëz duan së tepërmi të banojnë në një ndërtesë si e jona dhe ka shumë pak prej tyre tani për tani. Por mendoj se me kalimin e kohës, ndërsa teknologjia përmirësohet, prirja do të jetë më tepër në këtë drejtim. Mendoj se çdo ndërtesë në Manhaten duhet të vendosë panale diellore në taracë.”

Por jo të gjitha panelet diellore duhen vendosur mbi çati. Carlos Berger i kompanisë së energjisë alternative “Voltaic Solaire”, në lagjen e Brooklyn-it, kohët e fundit i veshi fasadat e një ndërtese me një shtresë të hollë filmi, të quajtur “qeliza diellore”.

Kjo shtresë përbëhet nga një material me bazë silikoni, e cila mund të jetë plotësisht transparente.

“Drita depërton përmes këtij materiali dhe njëkohësisht prodhon energji elektrike.”

Prirja për energjinë diellore po përshpejtohet, thotë Jack Hidary, bashkëkrijues i kompanisë Samba Energy, që ofron programe komjuterike dhe shërbime për energjinë e pastër.

Ai thotë se të dhënat tregojnë se instalimet e paneleve diellore në SHBA janë dhjetëfishuar që nga viti 2009 dhe kjo e ul vazhdimisht çmimin, me zhvillimin e teknologjisë efiçente dhe teknikave të instalimit.

Ai thekson se qeliza diellore që ka instaluar i vëllai në shtëpinë e tij grumbullon më tepër energji nga sa mund të përdorë familja e tij.

“Metri elektrik i shtëpisë së tij në Brooklyn punon në drejtim të kundërt, sepse familja e vëllait tim merr kredi për elektricitetin e tepërt që prodhon, që ja shesin pastaj kompanisë së energjisë. Prandaj, kjo shtëpi për një vit nuk shpenzoi asnjë dollar për energjinë. Jam shumë i lumtur për këtë. Njerëzit, bizneset, kursejnë para përmes energjisë diellore dhe njëkohësisht ata mbrojnë mjedisin nga ndotja.”

Me të vërtetë, çlirimi i gazeve ndotëse nga uzinat që përdorin qymyrin si burim energjie përbën një rrezik për shëndetit. Njujorkezët janë amerikanët me më tepër sëmundje të astmës dhe me probleme të tjera të frymëmarrjes, se sa mesatarja kombëtare. Jack Hidary mendon se përdorimi i energjisë diellore mund të ndihmojë edhe në këtë aspekt.

“Duke instaluar më tepër panele diellore ne mund të fillojmë të pakësojmë sasinë e qymyrit që djegim, prandja ndotja do të jetë më e vogël dhe kjo do ndikojë tek përmirësimi i shëndetit të njerëzve.”

… Dhe shton ai, drita e diellit nuk mungon kurrë!

“Në fund të fundit, ka më tepër diell, energji diellore, që godet në një orë pjesën e Tokës të Planetit tonë, se sa njerëzit, tani 7 miliardë vetë, përdorin në vit. Pa dyshim, Dielli ka për t’u bërë burimi i energjisë për këtë planet. Dhe ne do të përdorim pikërisht energjinë e tij në të ardhmen. Prandaj, duhet ta pranojmë këtë fakt dhe të ecim pa humbur kohë drejt së ardhmes!”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)