Nesër mbahet protestë kundër shtrenjtimit të rrymës
Prishtinë, 25 janar - Grupi organizativ "Protestojë" ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkohen në protestë kundër shtrenjtimit të rrymës, nesër duke filluar nga ora 12:00.
Protesta nisë tek sheshi "Zahir Pajaziti" dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore: 1. Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRrE për shtrenjtim të rrymës dhe 2. Nacionalizimi i KEDS-it.
Organizatori Dibran Hoxha nga shoqëria civile në konferencë për medie të thirrur rreth protestës së “Asnjë cent më shumë” ka thënë se me 28 janar 2022 përfundon faza e konsultimit publik për propzimin e ZRrE-së për vendosjen Bllok tarifën.
Pas kësaj date sipas Hoxhës protestojë Qeveria e Kosovës pritet t’ia miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% të çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë këtë shumë.
"Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse një familje e ka paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re ata do të paguajnë rreth 108 euro", thekson Hoxha.
Përveç që i palogjikshëm, ky propozim sipas tij do t'i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë. Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin.
"KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve të Kosovës. Andaj, ne i themi “Asnjë cent ma shumë” apetiteve të KEDS-it, të cilat po mundohet t’i ushqejë qeveria e Kosovës bashkë me ZRrE-në."
"Përveç kësaj, kryeministri Kurti dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka thënë se qytetarët mund edhe të fantazojnë për mos shtrenjtim apo mos subvencionim të energjisë, po vet kryeministri a kishte fantazuar kur thoshte se ne do synojmë uljen e çmimit të energjisë?, madje thoshte se do e nacionalizojmë këtë kompani posa të vijmë në pushtet", ka thënë Hoxha.
Deklarime të tilla sipas tij të pamatura të kryeministrit janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e këtij vendi që synim e kanë të jetojnë dinjitetshëm në këto kushte e rrethana në Kosovë.
"Këto shantazhe, ne, qytetarët e këtij vendi nuk do i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRrE-së e me KEDS-in."
"Kjo protestë organizohet nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nuk ka kurrfarë agjende partiake", ka deklaruar në fund Hoxha.