Nesër inagurohet Hidrocentrali Dikanca në Dragash
Prishtinë, 12 prill - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nesër bën inaugurimin e përfundimit të rehabilitimit të Hidrocentralit Dikanca në Dragash. Pjesëmarrës do të jenë përfaqësuesit më të lartë të KEK-ut, përfaqësues të lartë nga Qeveria e Kosovës dhe investitori Fringo Food Energy Invest.
HC Dikancë është i ndërtuar në vitin 1957 në Komunën e Dragashit. Hidrocentrali ka punuar me të dy agregatët deri në vitin 1994. Që nga ajo kohë njëri agregat ka qenë në prishje, kështuqë puna është zhvilluar vetëm me nje agregat deri në vitin 2001, kur ka pasuar prishja edhe në këtë agregat.
Me qëllim të riaktivizimit të tij, që rrit kapacitetet prodhuese në format alternative të energjisë së ripërtëristshme, dhe të futjes së investimeve private në sektorin e energjisë elektrike KEK-u kishte shpallur tender të hapur për dhënien me qira të këtij hidrocentrali. Me 30.09.2009 KEK ka nënshkruar kontratat për dhënien me qira të hidrocentralit të Dikancës dhe për blerje të energjisë elektrike me kompaninë Frigo Food Energy Invest nga Shqipëria, e cila kishte ofruar kushtet më të mira në tenderin e hapur nga korporata.
Investimi total arrin në 2.5 milionë euro, i ndarë në dy faza. Fillimisht kompania fituese e kishte për obligim të bëjë rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërsa në fazën e dytë parashihet zgjerimi deri në 2.66 megavatë/orë, që paraqet gati dyfishim të kapaciteteve.