Nënshkruhet marrëveshja për mënjanimin e ujërave të zeza në Pejë
Pejë, 25 tetor - Sot në Pejë mbahet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për Mënjanimin e Ujërave të Zeza në Jugperëndim të Kosovës - Faza IV, respektivisht për Komunën e Pejës, e cila marrëveshje nënshkruhet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverisë Federale të Gjermanisë përmes KfW-së, Qeverisë së Konfederatës Zvicerane përmes SECO-së, Komunës së Pejës, si dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini në Pejë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet nga ministri i Financave Avdullah Hoti , në emër të Qeverisë Federale të Gjermanisë nga drejtori për Evropën Juglindore dhe Turqinë në KfW Christoph Tiskens, në emër të Qeverisë së Konfederatës Zvicerane nga drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë Patrick Etienne, në emër të Komunës së Pejës nga kryetari i Komunës Gazmend Muhaxheri, si dhe në emër të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini në Pejë nga drejtori gjeneral Agron Tigani.
Ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes do të mbahet sot duke filluar nga ora 11:00, në Zyrën e Kryetarit të komunës së Pejës.