Nënshkruhet marrëveshja për gjenerimin e energjisë elektrike nga era
Prishtinë, 17 dhjetor - Kompania ‘SOWI Kosovo’ organizon sot ceremoninë dhe koktejin e organizuar me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve për projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në fshatin Selac, Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh.
Tri projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në Bajgorë, Mitrovicë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh, sjellin një ndër investimet më të mëdha të pasluftës në Kosovë.
SOWI ka nënshkruar marrëveshje me General Electric për furnizimin me 27 turbina të erës, që do të vendosen në fshatin Selac në Bajgorë, deri sa aktivitetet e ndërtimit dhe ato infrastrukturore udhëhiqen nga kompania gjermane NOTUS Energy.
Rreth 120 milion euro apo 70% e vlerës së përgjithshme të projekteve, financohet përmes kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Erste Bank dhe NLB Group. Pjesa tjetër e projektit mbulohet nga pronarët Kosovar, Gjerman dhe Izraelit të kompanisë.
Projektet do të ndikojnë në furnizimin me energji elektrike në Kosovë si dhe do të përkrahin Republikën e Kosovës në plotësimin e caqeve për energji të ripërtrishme, në pajtim me praktikat më të mira globale mjedisore dhe të qëndrueshmërisë.
Përvec tjerash, projektet do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe sjellin shumë të mira për komunitetin në Bajgorë.