24 Dhjetor 2024

Nënshkruhet Letër Qëllimi 25 milion euro për projekte të energjisë së ripërtërishme

Prishtinë, 25 shtator - Ministria e Financave (MF), Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nënshkruan një Letër Qëllimi për fillimin e financimit komercial deri në 25 milion euro për projekte të energjisë së ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë.

Palët nënshkruan Letër Qëllimin në prezencë të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe Delegacionit të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit (DFC) të SHBA-së, të cilët ishin për vizitë në Kosovë për avancimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik.

DFC e SHBA-së do të punojë ngushtë me MFK, FKGK dhe MF në ofrimin e instrumenteve financiare,  që do të zvogëlojnë riskun e garancive bankare për Dritaren e Energjisë së Ripërtërishme të FKGK dhe partnerëve tjerë bankarë.

Gjatë takimit, palët rikonfirmuan përpjekjet dhe zotimin e tyre për të fuqizuar bashkëpunimin në lansimin e produktit të Dritarës së Re të garancive bankare për investitorët në energjinë e ripërtërishme, që do të ofrohet nga FKGK.

Krijimi i Dritares konsiderohet si një hap i rëndësishëm në futjen e financimit të projekteve të sektorit privat në mjedisin bankar në Kosovë.

Për më tepër, projekti konsiderohet të jetë i një rëndësie të madhe edhe për pakon e masave ekonomike që synojnë zbutjen e ndikimit negativ të pandemisë së COVID-19 në ekonominë e Kosovës.

Hykmete Bajrami, Ministre e Financave në Republikën e Kosovës deklaroi Qeveria e Kosovës është e përqendruar në ndihmën ndaj sektorit privat për sigurimin e kapitalit dhe garancive të nevojshme për gjenerim të rritjes dhe punësimit por edhe të promovojë zgjidhjet inovative në sektorin financiar.

"Ne e vlerësojmë punën e madhe të bërë nga FKGK dhe MFK për të bërë realitet këtë Dritare dhe falënderojmë MCC për mbështetjen financiare të ofruar deri më tani për FKGK. Për më tepër, ne jemi të gatshëm të punojmë me DFC për sigurimin e mekanizmave kundër-garantues të nevojshëm për uljen e rrezikut të përgjithshëm dhe normave të interesit për kompanitë kosovare” – shtoi znj. Bajrami.

Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC-së për Kosovë shtoi: Jemi të lumtur për mundësinë që të mbështesim sektorin privat në momentin kyç të rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë.

Ky projekt jo vetëm që do të ofrojë mbështetje financiare ndaj ndërmarrësve në fushën e energjisë, mirëpo do të përkrahë edhe sektorin bankar, gjë që besojmë që do të sjellë përftime të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në të ardhmen.

Petrit Selimi, Kryeshef ekzekutiv i MFK deklaroi "Dita e sotme shënon një moment të rëndësishëm në konfirmimin e bashkëpunimit shumëpalësh që është duke i shtuar vlerë punës sonë në Kosovë -  duke ndërlidhur investitorët privat, sistemin bankar dhe institucionet e Kosovës në një mënyrë që do të zhbllokojë kapitalin e ri dhe do të lidh investimet e nevojshme në energji të ripërtërishme dhe investimet në efiçiencë të energjisë."

Vitin e kaluar, MFK ka nënshkruar një marrëveshje me FKGK për krijimin e një Dritareje të re të garancive për investimin e sektorit privat në gjenerimin e pavarur të energjisë dhe investimet e tjera në energji.

Gjithashtu, MFK ka nënshkruar një kontratë me Financial Markets International, Inc. (FMI) me bazë në SHBA që të fillojë zbatimin e këtij projekti, me mbështetje nga MCC. Ky projekt synon të mbështes FKGK, PPE-të e Energjisë të Ripërtërishme si dhe bankat lokale, duke u përqendruar në tre intervenime plotësuese për të rritur financimin e energjisë diellore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)