23 Dhjetor 2024

Nënshkruhet kontrata për privatizimin e Distribucionit të KEK

Prishtinë, 17 tetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj dhe përfaqësues të konzorciumit Çalik&Limak kanë nënshkruar kontratën për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj nënshkrimin e kontratës për privatizimin e Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike e ka quajtur një moment të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Republikës së Kosovës.

“Konform Kushtetutës së vendit ne jemi të përcaktuar për ekonomi të tregut, jemi të përcaktuar që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët e Kosovës dhe një pengesat që nga paslufta ka qenë furnizimi i sigurt me energji elektrike”, tha Beqaj.

Ai tha se Strategjia e Energjisë e cila është aprovuar në Kuvendin e Kosovës ka tri objektiva kryesore; furnizim stabil me energji; kosto të përballueshme për qytetarët; respektim të normave dhe standardeve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së ambientit, ndërsa këto objektiva Qeveria do t’i respektojë në maksimum gjatë ristrukturimit të sektorit të energjisë. 

“Ne sot jemi këtu për një proces të suksesshëm dhe transparent, me një proces i cili afron Kosovën drejt BE-së dh iu ofron qytetarëve një perspektivë investive prej 300 milionë eurosh, investime që do të bëhen në koordinim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës. Kompania Kosovo Çalik & Limak Energy i nënshtrohet plotësisht ZRRE-së të Republikës së Kosovës, e cila i përgjigjet Kuvendit të Kosovës”, saktësoi Beqaj.

Kreu i KQP-së tha se gjatë hartimit dhe përpilimit të kontratës janë marrë përvojat e mira nga rajoni. Sipas tij me këtë kontrate punëtorëve u janë siguruar kontratat trevjeçare; Qeveria nuk ka marrë obligime për mosinkasim te faturave te energjisë, ndërsa Çalik – Limak hyn në obligime 20 vjeçare për të blerë energjinë në Republikën e Kosovës  konform ekonomisë së tregut,

Ministri tha se në kontratë janë futur garancione të korporatës të cilat nënkuptojnë se konsorciumi Kosovo Çalik – Limak do të jetë i obliguar për të bërë më të mirën e mundshme për të kryer të gjitha obligimet ndaj transmisionit dhe ndaj gjenerimit dhe çka është e rëndësishme rregullatori i cili e bën këtë rregullim është ZRRE e Republikës së Kosovës. 

Nga ana e saj, Roxanne Suratgar – përfaqësuese e USAID-it, nënshkrimin e kontratës e ka vlerësuar një hap të madh në zhvillimin e sektorit të energjisë që të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike. Ajo tha se Çalik dhe Limak kanë ardhur këtu për të rivitalizuar KKDFE-në me investime shumë të mëdha. Këto investime do t’i reduktojnë humbjet teknike dhe do t’i përmirësojnë shërbimet në të ardhmen.

“Sa kemi informata ne kjo punë është menaxhuar me standardet më larta ndërkombëtare.  USAID-i mirëpret bashkëpunimin edhe në të ardhmen në mënyrë që të arrijmë qëllimin tonë kryesor, furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët  e Kosovës”, tha Suratgar.

Filip Drapak, përfaqësues i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), në cilësinë e këshilltarit të transaksionit që ka punuar në privatizim, procesin e privatizimit të KKDFE-së e ka quajtur një sukses të Qeverisë së Kosovës, nga i cili përfitojnë qytetarët e Kosovës ngase në këtë mënyrë do të sigurohet furnizim i rregullt me energji elektrike.

Ai tha se ky transaksion nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e institucioneve të involvuara në këtë proces si MZHE,ME, MPMS, MMPH, USAID, Deloitte, KEK, KOSTT etj që kanë qenë pjesë në vlerësimin e këtij transaksioni.

Andrew Smith, përfaqësues i Deloitte tha se privatizimi i KKDFE-së është i ristrukturuar në mënyrë që të reduktojë humbjet, të përmirësoj furnizimin me energji elektrike dhe në të njëjtën kohë të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Sipas tij privatizimi është bërë sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe është kompatibil me Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës.   

Nga ana e tij, Nihat Ozdemir  përfaqësues i Kosovo Çalik-Limak Energy ka prezantuar profilin e këtij konzorciumi dhe planet e tij të investimeve në rrjetin e distribuimit të energjisë në Kosovë.

Ai tha se ky konzorcium bën distribuimin e energjisë në pesë vende të ndryshme, ka më shumë se 5.1 milionë abonentë dhe bën distribuimin për 13 milionë banorë, duke shtuar se rëndësi të posaçme i kushtojnë kualitetit të shërbimit.

“Grupi Kosovo Çalik-Limak Energy në 15 vitet e ardhshme për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë do të bëjë investim prej 300 milionë euro, për këtë arsye jemi të përgatitur, kemi eksperiencë dhe sa më shpejtë që do të barten asetet do të fillojnë këto investime”, tha Ozdemir, duke shtuar se popullata e Kosovës do të ketë energji më kualitative dhe  pandërprerë.

Këshilltarët e transaksionit nga IFC-ja theksuan se për këtë transaksion është punuar rreth tre vjet, dhe se është sukses i madh për Kosovën, për krijimin e një sektori modern të energjisë. Ndryshe kompania e distribucionit dhe furnizimit, është shitur për 26 milionë e 300 mijë euro.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)