24 Dhjetor 2024

Nënshkruhet kontrata për linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

Prishtinë, 21 dhjetor - Në praninë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Fadil Ismajli, dhe Ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë Damjan Gjiknuri, dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes së Prizrenit në Prizren, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri. 


Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Naim Bejtullahu nënshkroi kontratën me përfaqësuesit e kompanisë kroate Dalekovod e cila do të realizojë ndërtimin e linjës në pjesën e Kosovës, ndërkaq Engjëll Zeqo, Administrator i Përgjithshëm i OST Shqipëri, nënshkroi kontratën me përfaqësuesit e kompanisë Energoinvest nga Bosna dhe Hercegovina e cila do të realizojë ndërtimin e linjës në pjesën e Republikës së Shqipërisë.


Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonektive e cila lidhë nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) më një gjatësi totale prej 241.5 km.

Ndërsa LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OST).

Financimi i projektit për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila €16.5 milion grant + €17 milion kredi. Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese,  si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë. 
Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200MW, me vënjen në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400kV Tirana –Podgoricë do të ngritet në rreth 900MW.
Nga momenti i fillimit të punimeve, ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh derisa kontraktuesit do të jenë tërësisht të koordinuar gjatë procesit të implementimit.

Ministrit Fadil Ismajli në ceremonine e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV – Kosovë-Shqipëri, ka deklaruar se Prizreni jonë, e brenda tij, vendi ku jemi mbledhur sot , përpos bukurisë së tij si vend, bartë me vete edhe vlera të historise dhe të civilizimeve të vjetra. Bartë me vete vulën e kultivimit të traditave të vjetra të shtresave aristokrate.

"Bartë me vete edhe data të shënuara të historisë sonë që gravuan krenarinë e kombit shqiptar, mushtin e qenjes njerëzore shqiptare. E, në vazhdën e këtyre ngjarjeve, sot po e skalisim edhe një të re, që ka peshën dhe përmasat e ngjashme me ato të parat…po nenshkruajmë kontraten për ndertimin e “autostrades energjetike”, Kosovë – Shqiperi", ka theksuar ai.

Sipas tij Sektori i energjisë është një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit. Energjia është fundamentale për kualitetin e jetës tonë. Si shoqëri, sot jemi shumë të varur nga furnizimi kualitativ me energji, e cila na nevojitet, si për të jetuar ashtu edhe për të punuar. Është pra, përbërja kryesore e të gjithë sektorëve të një ekonomie moderne.

"Për ketë, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar që ky sektor të zhvillohet, ashtu qe të siguroj furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, me çmime të përballueshme për konsumatorët, mirëpo në të njëjtën kohë duke u kujdesur maksimalisht për ruajtjen e mjedisit. E dimë që kërkesa për energji do të rritet edhe më shumë në të ardhmen, dhe me të, do të rritet edhe kërkesa për infrastrukturë transmetuese të saj", ka pohuar ai.

Sipas tij pasi vizioni ynë (ndër tjera) është që të kemi një treg të përbashkët energjetik  Kosovë-Shqipëri, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV, vetëm se do ta vërtetojë angazhimin tonë të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve.

"Tradicionalisht, sektorët e energjisë janë zhvilluar dhe kane operuar në struktura të centralizuara, në të cilat, ndërmarrjet e integruara vertikalisht kanë operuar me shumicën ose të gjitha aktivitetet – prej gjenerimit, deri te bartja dhe distribucioni. Tani, situatën e kemi pak më ndryshe, situatë e cila në të ardhmen duhet të ndryshojë edhe më shumë", ka deklaruar ai.

Duke shtuar se vitet e fundit, në kemi bërë shthurrjen e ndërmarrjes vertikalisht të integruar (KEK) në gjenerim, transmision, distribucion dhe furnizim. Transmisioni ka mbetur entitet publik, ndërsa distribucioni dhe furnizimi janë privatizuar këtë vit. Me këtë rast, duhet theksuar se kemi akoma edhe shumë punë për të bërë, në mënyrë që të bëjmë hapjen e tregut, ashtu siç parashihet me legjislacionin e BE-se, gjegjësisht me pakon e tretë të energjisë.

"Kur jemi tek linja interkonektive 400 kV, duhet përmendur që benefitet janë të shumta. Kjo ofron që të ngriten kapacitetet, qëndrueshmëria, dhe besueshmëria në mes të dy rrjeteve. Një linjë e tillë na mundëson që të dy operatorët të punojnë bashkarisht si një sistem shpërndarës, që do të ofrojnë përfitime të ndërsjellta për konsumatorët e të dyja vëndeve", ka theksuar ai.

Sipas tij kjo rritje e kapacitetit interkonektiv mundëson që të rriten kapacitetet e energjise elektrike dhe të mos ketë më barriera në mbështetjen që njëri vend mund ti ofroj tjetrit në kohë të mungesës së energjisë elektrike. Pra, me këtë linjë ne kemi bërë një hap të madh drejtë rritjes së sigurisë së furnizimit për të dy vëndet. Dhe kjo nuk është pak sukses, dhe kjo nuk është diqka që duhet të kalonte e pashënuar.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)